Topalli: Brenda dhjetorit Britania do të miratojë protokollin e NATO-s
Britania e Madhe i jep mbështetje Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në vizitën e saj të parë zyrtare ka konfirmuar lajmin se Mbretëresha Elizabet e II do të firmosë me datën 10 dhjetor protokollin për anëtarësimin në NATO. "Janë edhe pak ditë pas një jave mbretëresha Elizabet do ta firmosë protokollin e NATO-s dhe Britani është një nga mbrojtëse më të forta të proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në veçanti", deklaroi Topalli nga Londra. Në vizitën e saj dy ditore, kryeparlamentarja zhvilloi takime me një pjesë të rëndësishme të anëtarëve të Kabinetit të Kryeministrit Braun. Ajo ka mbajtur një referatë mbi integrimin euro-atlantik të Shqipërisë, në London School of Economics and Political Science. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zuri vendin e të ftuarës së nderit të Kryetarit të Dhomës se Komunëve, Michael Martin. Ai e ftoi Topallin të merrte pjesë në mbledhjen konfidenciale të forumit më të lartë të vendimmarrjes të Dhomës së Komuneve, (komiteti drejtues i kryesisë së parlamentit) ku përveç kreut të parlamentit, Martin, marrin pjesë vetëm tre nënkryetarët e parlamentit, për të vendosur me dyer të mbyllura axhendën e tyre të punës. Mbledhja ku ishte e pranishme Kryetarja e Kuvendit është një nga më të rëndësishmet për Parlamentin Anglez, i cili duhet të vendosë sesi do të veprojë Dhoma e Komunëve rreth çështjes më të nxehtë politike në Britani, arrestimin disa orësh të para ditëve të një deputeti dhe hyrjen e policisë në parlament, një akt që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë njëmijëvjeçare të Parlamentit Britanik.