E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrufetë, dy qytete 24 orë pa ujë e drita



Stuhia e fundjavës shkakton probleme në vend. Qyteti i Durrësit ka mbetur pa ujë të pijshëm gjatë gjithë ditës së djeshme, ndërsa gjysma e Fierit pa energji elektrike. Një rrufe e rënë gjatë shtrëngatës së të shtunës mbrëma ka shkarkuar ngarkesën e lartë elektrike në burimin e Fushë-Kuqes, duke paralizuar furnizimin me ujë të pijshëm në qarkun Durrës-Krujë. Mësohet se sistemi elektrik, i cili furnizon me energji pompat e thithjes së ujit nga nëntoka e burimit ka shkuar në "black-out". Pasojat janë të rënda, pasi mbi gjysmë milioni banorë kanë mbetur pa ujë për të paktën 24 orë. Në terren kanë shkuar me urgjencë skuadrat e riparimit të nisura nga Durrësi dhe Kruja. Defekti ndodhi në orën 04:00 të mëngjesit të së dielës dhe sipas specialistëve vlerësohet si i rëndë. Në Fier është shënuar një avari në nënstacionin elektrik "Fieri 1", duke lënë pa energji elektrike gjithë ditën e djeshme mbi gjysmën e qytetit, pjesë e të cilit janë lagjet kryesore. Operatori i sistemit të shpërndarjes njoftoi se avaria në nënstacionin elektrik ka ndodhur si pasojë e motit të keq të mëngjesit të djeshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›