E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca në kaos

Kapiteni i Francës, Patrice Evra është i zemëruar që incidenti mes sulmuesit Nicolas Anelka dhe selektorit Raymond Domenech ishte publikuar në media. Të përditshmet franceze raportuan se Anelka kishte fyer Domenechun pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes kundër Meksikës, të enjten.

Ndërsa, presidenti i Federatës së Futbollit të Francës, Jean-Pierre Escalettes kërkoi nga futbollisti të kërkojë falje, por ai refuzoi dhe është urdhëruar të kthehet në shtëpi. Ndërsa, Evra dëshiron të gjejë anëtarin e ekipit të Francës, i cili njoftoi mediat për detajet e incidentit që u përcoll me përjashtimin e Anelkës nga skuadra.

“Problemi i Francës nuk është Anelka, por tradhtari mes nesh. Ne duhet ta eliminojmë tradhtarin nga grupi, sepse ai dëshiron ta lëndojë ekipin. Nuk ka mi të vogël në zhveshtore, kjo vjen nga dikush që është në ekip dhe dëshiron t’i bëjë dëm ekipit. Nuk do të gënjejmë, gazetari (nga e përditshmja sportive franceze, L’Equipe) nuk e trilloi këtë ngjarje. Nuk e di se kush është ai, nuk jam magjistar”, tha Evra, i cili me gjithë zemërimin e tij për publikimin e incidentit, pranoi se Anelka e kishte kaluar kufirin.

“Komentet e tij janë të papranueshme”, shtoi Evra. Edhe Anelka ka shprehur dëshpërimin e tij për publikimin e incidentit, por insistoi se nuk ishte qëllim i tij të destabilizojë ekipin dhe u uroi atyre fat në vazhdim të garës.

“Ndodhi në zhveshtore, mes meje dhe trajnerit, dhe para bashkëlojtarëve të mi dhe stafit teknik. Kjo nuk është dashur të dalë nga zhveshtorja. Nuk e di se kush mund të përfitojë nga kjo, por përsëritja e këtyre gjërave sigurisht se nuk i ndihmon ekipit. Synimi im nuk ishte asnjëherë të destabilizoj ekipin e Francës, institucion të cilin e respektoj. E pranoj përjashtimin nga ekipi i Francës dhe u uroj atyre fat”, tha Anelka.

Ndërsa, Domenech ka thënë se Anelka mund të kishte mbetur me ekipin nëse do të kishte kërkuar falje për komentet e tij. “Kam biseduar me Anelkën edhe të premten dhe e kanë lënë të hapur mundësinë të kërkojë falje, diçka që ai nuk deshi ta bëjë”, deklaroi Domenech.

Franca është në pozitë të vështirë në Grupin A, pasi ka vetëm një pikë nga dy ndeshjet e para. Në takimin e fundit, Trekolorët takohen me nikoqirin, Afrikën e Jugut.

Futbollistët bojkotojnë stërvitjet

Futbollistët e Francës refuzuan të stërvitin të dielën pas përjashtimit të Nicolas Anelkës nga ekipi, pas fyerjeve ndaj trajnerit Raymond Domenech.

Domenech lexoi një komunikatë nga ekipi i tij ku thuhej: “Federata e Futbollit e Francës në asnjë moment nuk u mundua të mbrojë grupin. Në shenjë kundërshtimi për vendimin (ndaj Anelkës), të gjithë futbollistët vendosën të mos marrin pjesë në stërvitje”. Drejtori i Federatës së Futbollit të Francës, Jean-Louis Valentin, menjëherë ka dhënë dorëheqje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›