E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francë, 50 shqiptarë në polici dyshohen si azilkërkues

Rreth 50 shqiptarë, prej tri ditësh janë duke u mbajtur në paraburgim nga ana e policisë franceze. Shtetasit shqiptarë kanë shkuar në Francë individualisht apo në grupe të vogla si turistë. Arsyeja e ndalimit të shtetasve shqiptarë, është se ata dyshohen si azil-kërkues. Shqiptarët po mbahen në Kalaj, një zonë që ndodhet rreth 130 km larg Parisit. 

Lajmi është bërë i ditur pas denoncimit që ka bërë njëri prej personave të ndaluar, Aldrin Kuqi. Kuqi ka deklaruar se është kapur nga policia franceze, teksa kishte gjashtë ditë qëndrimi në Francë. Kuqi ka rrëfyer se shqiptarët të cilët prej tri ditësh ndodhen të izoluar nga autoritetet franceze, kanë kërkuar ndihmë nga ana e përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Francë. 

Reagimi
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme, sipas së cilës, të ndaluarit janë vetëm 25 vetë. Në njoftimin e ministrisë thuhet se shtetasit shqiptarë nuk kanë vënë në dijeni ambasadën për këtë ngjarje dhe se ndalesa u është bërë për shkak të mungesës së dokumentacionit të rregullt. Megjithëkëtë, pas publikimit të lajmit në media, Ambasada Shqiptare në Francë ka kontaktuar me autoritetet franceze për zgjidhjen e kësaj situate. Në njoftim, Ambasada shqiptare sqaron se nga policia franceze në Calais, ashtu si edhe në pika të tjera të kalimit kufitar të Francës, ndalohen të gjithë të huajt klandestinë (pa dokumente identifikimi ose me dokumente false), të cilët tentojnë të kalojnë në territorin e Britanisë së Madhe. Calais nuk përbën një zonë turistike e cila vizitohet nga të huajt për qëllime turistike, por kryesisht shërben si pika më e afërt portuale dhe hekurudhore me Britaninë e Madhe, me synim kalimin në këtë vend nga emigrantët klandestinë. Policia franceze e kufirit i ndalon këta shtetas, pasi konstaton se ata nuk kanë dokumente të rregullta udhëtimi e qëndrimi në territorin francez. "Sipas procedurës franceze, në raste të tilla, këta qytetarë mbahen nëpër qendra ndalimi derisa të merret një vendim nga ana e gjykatave franceze, vendim i cili, në shumicën e rasteve vendos kthimin e tyre në atdhe. Kjo procedurë zgjat nga disa ditë deri në dy-tri javë", sqaron njoftimi i Ministrisë së Jashtme.

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›