E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja i kërkoi divorcin, 36-vjeçari i djeg shtëpinë

Gruaja i kërkoi divorcin, 36-vjeçari i djeg shtëpinë e prindërve, brenda edhe vjehrra. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.18 në Durrës, rreth orës 19:00 të mbrëmjes së djeshme. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Durrësit, Gazmend Kiptiu, 36 vjeç, nga Lushnja ka tentuar të djegë të gjallë vjehrrën e tij, Nadiren, 80 vjeçe, pasi gruaja e tij, Shqipe Kiptiu i ka kërkuar divorcin. 36-vjeçari i ka vënë zjarrin apartamentit ku jetonte bashkëshortja me gjithë nënën e saj, në katin e parë të një pallati në lagjen 18. 

Bashkëshortët Kiptiu, prej vitesh jetonin të ndarë, ndërsa janë prindër të 3 fëmijëve të mitur nga 8 deri në 13 vjeç. Pasi i ka vënë flakën banesës ku jetonte gruaja, 36-vjeçari është larguar menjëherë, ndërsa policia po punon për kapjen e tij. Kanë qenë fqinjët ata që e kanë nxjerrë 80-vjeçaren që vuan nga skleroza nga apartamenti dhe e kanë dërguar në spital, në gjendje asfiksie, por jashtë rrezikut për jetën. 

Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", 33-vjeçarja Shqipe Kiptiu deklaroi se bashkëshorti i saj ka qenë i dhunshëm dhe për këtë arsye ishte ndarë prej tij. Ajo tregon se, para se t'i vinte flakën shtëpisë, Gazmendi e kishte tërhequr zvarrë në rrugë duke i kërkuar të kthehej në familjen bashkëshortore në qytetin e Lushnjës dhe të hiqte dorë nga divorci, në të kundërt nuk do t'i shihte më fëmijët.
(Intervista e plote sot ne Gazeta Shqiptare)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›