France zgjedhjet presidenciale Ne avantazh Hollande

Në Paris në sheshin e Konkordies, po kryhen dhe përgatitjet e fundit, në atë që presidenti Nikola Sarkozi mendon se do të jetë mitingu më i madh elektoral që është organizuar ndonjëherë në përpjekje për të fituar terren ndaj rivalit të tij kryesor kandidatit socialist Fransua Hollande. Por dhe ky i fundit shpreson të mbledhë sa më shumë njerëz që do të mbështesin axhendën e tij politike. Ndërkohë që stafi elektoral i Sarkozi ka zgjedhur sheshin Konkord, me pamje nga asambleja kombëtare franceze dhe në fund të Champs Elysees, stafi elektoral i Hollande ka zgjedhur pyjet e Paris-Vincennes, vetëm 10 kilometra larg Konkordies, përballë kështjellës mesjetare të Vincennes. Organizatorët e të dyja kampeve elektorale shpresojnë të mbledhin më shumë se 100 mijë mbështetës, 7 ditë para ditës së zgjedhjeve. Sipas sondazheve më të fundit Sarkozi është prapa Hollandes, edhe pse me një diferencë shumë të vogël. Sarkozi është shprehur se shpreson që të mobilizojë atë mazhorancë që deri tani ka mbetur heshtur. Hera e fundit që Sarkozi ka qenë në sheshin Konkorde, ishte natën e fitores si president i vendit.