Rrezikohet armëpushimi në Siri

Nëpërmjet kanaleve të tyre, aktivistët raportuan se ka pasur bombardime të rënda të qytetit të Homsit, ndërsa luftëtarë kryengritës duket se sulmuan një rajon policie në krahinën e Alepos.
Ditën e shtunë, Këshilli i Sigurimit kaloi rezolutën që autorizon vendosjen në vend të vëzhguesve të paarmatosur, si pjesë e planit për zgjidhjen e krizës.
Një zëdhënës i OKB-së konfirmoi se pesë monitoruesit e parë do të mbërrijnë në një bazë ushtarake në Damask ditën e hënë.
Armëpushimi hyri në fuqi ditën e enjte, ndonëse janë raportuar shkelje të vazhdueshme të tij gjatë ditëve që e pasuan.
Në mënyrë që plani i paqes të zbatohet, kreu i OKB-së, Ban Ki-Moon, lajmëroi se do të paraqesë përpara Këshillit të Sigurimit, më datën 18 prill, një projekt konkret për zgjerimin e trupave vëzhguese në të gjithë Sirinë.