E Shtunë, 31 Tetor 2026

A mund të hap Islami rrugën drejtë paqes?

Negociatat ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare dhe Teheranit për programin bërthamor të Iranit mund të kenë një përfundim pozitiv: nëse të gjithë mbështetën në insistimin e vazhdueshëm të Iranit se Islami i ndalon armët bërthamore. Ayatollah Ali Khamnei, i cili ka pushtet pothuajse absolut në Iran, për vite me radhë ka deklaruar se armët bërthamore janë “mëkat” dhe për këtë arsye edhe të ndaluara për Republikën Islamike.

Ekzistojnë të gjitha rrugët e mundshme, që negociatat bërthamore me Iranin të përfundojnë keq. Por gjithashtu është tejet e qartë, madje kjo ishte e qartë edhe para fillimit të takimit të diplomatëve në Stamboll, se si negociatat mund të kenë një përfundim pozitiv: duke u bazuar në insistimin e vazhdueshëm të Iranit se Islami i ndalon armët bërthamore.

Ayatollah Ali Khamnei, i cili ka pushtet pothuajse absolut në Iran, për vite me radhë ka deklaruar se armët bërthamore janë “mëkat” dhe për këtë arsye edhe të ndaluara për Republikën Islamike. Ai e tha këtë sërish, në momentin kur kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u takua muajin e kaluar me presidentin amerikan, Barack Obamën.

“Nuk ka asnjë dyshim se vendim-marrësit në shtetet të cilat na kundërshtojnë e dinë fare mirë se Irani nuk synon armë bërthamore, ngase Republika Islamike, si në aspektin logjik, religjioz dhe teorik, e konsideron posedimin e armëve të këtilla si të pakuptimtë, shkatërrimtar dhe të rrezikshëm”, pat deklaruar Khamenei.

Ai kishte të drejtë në një pikë: së paku një vendim-marrës nga shtetet, të cilat e kundërshtojnë Iranin, më saktësisht Obama, e di fare mirë se Irani publikisht kundërshton armët bërthamore për shkaqe religjioze dhe në këtë qëndrim sheh një rrugë elegante për të dalë nga kriza, e cila gjithnjë e më shumë po definohet me terma ushtarak.

Ai këtë pikë e përmendi në intervistën dhënë revistës Atlantic. Momenti vendimtar për t’i dhënë fund krizës, tha Obama, është përshkrimi i armëve bërthamore si “mëkat” dhe “jo-islamike” nga ana e iranianëve.

“Ata duhet t’i dëshmojnë bashkësisë ndërkombëtare se qëllimet e tyre janë paqësore dhe se nuk janë duke tentuar të prodhojnë armë bërthamore. Ata duhet t’i dëshmojnë se fjalët e tyre janë në përputhje me veprat e tyre”, deklaroi Obama.

Megjithatë, në këto negociata Iranit duhet t’i ofrohet mundësia që të largohet kryelartë nga tavolina, duke pasur parasysh krenarinë e iranianëve për historinë dhe kulturën e tyre të lartë perse gjatë shekujve.

Megjithatë, fjalën e fundit për çdo gjë e ka Khamnei. Ai është velayat-e faqih, apo rojtari i juristëve. Në faqen e tij në internet, Khamnei nuk flet vetëm për çështjet shtetërore, por mundohet t’iu ndihmojë edhe besimtarëve, të cilët përpiqen që të tejkalojnë dilemat e botës moderne.

Gary Sick, i cili ka përcjellë ngjarjet në Iran për Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, para se të kalonte në Universitetin Columbia, thotë se i beson fjalëve të Khamneit.

“Pa marrë parasysh kualifikimin e tij, ai e ushtron funksionin dhe e kryen punën me seriozitet. Njerëzit nuk e ndjekin ndoshta atë si Ajatollah personal të tyre, por kur ai bën ndonjë deklaratë që ndërlidhet me sigurinë, apo me shtetin, nuk ekziston askush që mund ta kundërshtojë”, thotë Sick.

E nuk mund ta kundërshtojë as vetën, edhe pse klerikët tjerë u përpoqën që të krijojnë një mekanizëm, në mënyrë që t’i mundësojnë Khamneit që ta bëjë këtë. Bëhet fjalë këtu për Këshillin e Përshtatshmërisë, i dizajnuar për të menaxhuar tendosjet mes parlamentit dhe këshillit të klerikëve, i cili shërben si gjykatë supreme religjioze. E njëjta frymë e pragmatizmit i jep liri të mjaftueshme Ajatollahut.

“Ayatollah Khomeini ka imponuar një rregull të re, sipas të cilit ruajtja dhe mbijetesa e shtetit islamik është prioriteti kryesor”, thotë Mehrdad Mirdamadi, analist i lindur në Iran. “Për ta arritur këtë, madje mund të pezullohet edhe ligji islamik”, shton ai.

Kjo nënkupton se Irani mund të justifikojë si të “drejtë” edhe prodhimin e armëve bërthamore, nëse ato shërbejnë për ruajtjen e shtetit, për të cilin Sick thotë se mullahët vërtetë ishin të mendimit se ishte i rrezikuar gjatë viteve të 80-ta, kur ata fshehurazi ringjallën programin bërthamor të Shahut.

Sidoqoftë, publikisht, dekreti religjioz kundër armëve bërthamore mbetet në fuqi, e me të edhe një mundësi që fuqitë e brengosura të huaja të angazhohen në këtë çështje.

“Më vjen mirë që qeveria amerikane më në fund e ka kuptuar se kjo i ofron një bazë për fillimin e negociatave. Ne themi, ‘Mirë, ju besojmë fjalëve tuaja, nuk dëshironi prodhimin e armëve bërthamore dhe ne dëshirojmë të kemi garanci se nuk do ta bëni. Prandaj këtu kemi një çështje për të cilën mund të bisedojmë’”, nënvizoi Sick. (Time)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›