E Diel, 1 Nëntor 2026

Francezja që fqinjëron në konvaleshencë me Berishën

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Elementet moderne dhe antike janë në një frymë të çuditshme harmonie me elementet “socialiste” të pandryshuara të banesës. Pllaka, dyer, ndriçues, pjesë tualeti, vazo guri dhe të tjera detaje të cilat kanë mbetur siç kanë qenë…

Një shtëpi diellore buzë Adriatikut kishte qenë dëshira e saj. Dhe ja ku e kishte bërë realitet. Francezja e njohur që jeton në Tiranë prej 19 vitesh, Mari Tereze Marshall, ka blerë pikërisht vilën e ish-kryeministrit të Shqipërisë në regjimin e shkuar: Vilën e Adil Çarçanit në konvaleshencën e plazhit durrsak. Por tanimë nuk është më blloku i udhëheqjes komuniste. Mari Tereze na tregon se fqinjët e saj janë Berisha e Topi që i kanë vilat ngjitur. Ndërsa e pyesim nëse fqinjërojnë, ajo bën pak heshtje... Kontakte ka pasur shumë, por bankete në verandë, jo.

Francezja mendon se pamja nga vila e saj ka rastisur më e bukur. Një shteg i ngushtë mes pemëve dhe shkurrnajave mbushur me lule, lidh kopshtin e bleruar me detin. Një trill i vërtetë! Gjelbërimi “shpërthen” nga të 50 dritaret dhe dyert e xhamta në të gjitha mjediset e shtëpisë. “Kafen e mëngjesit e preferoj këtu, në kuzhinë,- thotë Maria, -sodis njëherë këtë pjesë pylli, sepse pamjen e detit do ta kem pjesën tjetër të ditës, nga ana tjetër e shtëpisë ku rri më tepër”.
Maria mban frymë fëshfërimën e plepave të cilëve ua do lartësinë, por edhe ndryshimin e nuancave gjelbëroshe të pishave. I shikon se si zbresin si shkallë njëra pas tjetrës dhe…Parisi është tepër larg…humbet. Në vilën e saj në kavaleshencë, Maria vjen thuajse çdo javë. Por nuk qëndron më shumë se dy ditë. Shtëpia, më të shumtën e kohës e heshtur, “ringjallet” nga miqtë që e vizitojnë hera-herës gjatë drekave apo darkave në verandë. Por edhe pjesën tjetër të kohës, francezja edhe pse vetëm, nuk ka kohë aspak për t u mërzitur. “Koha kalon pa e kuptuar këtu,- rrëfen ajo.- Shtëpia ka shumë mjedise, 8 dhoma dhe jep variacion. Pastaj, sapo ulem, shoh diçka që duhet ndryshuar. Kam vazhdimisht punë, herë u ndryshoj vendet sendeve, herë pastroj, krasis, shkund, gatuaj…” Meqë ra fjala tek gatimet, Maria kalon një pjesë të mirë të kohës në kuzhinën e shtëpisë. Vërtet që kruasanët i mbërrijnë të ngrohtë nga ëmbëltorja e saj në Tiranë, por ama reçelrat dhe prevedetë i bën këtu. Të ftuarit kanë rastin të gostiten me specialitetin e saj. Në kuzhinën në dollapin e bardhë feksin vazot me ngjyrë të pjekur, me mbështjellëset e kuqe të purpurta. Aty ajo ka radhitur reçelrat prej qershie, luleshtrydheje, kajsie, prevedetë e ftoit e të mollës, kompostot e pjeshkës, kajsisë, kumbullës. “I kam bërë njësoj siç i bëja në Francë, që kur fëmijët e mi ishin të vegjël, -thotë ajo.- Nuk kam ndonjë formulë sekrete. Pastaj, unë nuk përdor masa, e hedh çdo gjë me sy”.

Përzierje kohërash
Shtëpia 400 metra katrorë është një oaz i çuditshëm ku përzihen kohërat dhe aromat e tyre. Mari Tereza “gjuan” gjithçka që është e veçantë. “Më pëlqejnë objektet e çdo kohe,- thotë ajo- dhe shpesh u them miqve, se shtëpia nuk duhet bërë e tëra moderne, as e tëra antike. Duhen përzier”. Mobiljet e vjetra janë megjithatë një pasion i saj, edhe pse shtëpia në plazh nuk ka shumë të tilla. “Mendova që të mos e rëndoj shumë me mobilje, të mos ia zë frymën, -thotë gruaja,- sepse këtu ka shumë dyer, vetë dyert janë të gjitha dru, parketi po ashtu. Mure ka shumë- pak dhe ato janë me piktura.” Gustoja e saj i thotë se një shtëpi në plazh nuk duhet t i ketë muret veçse të bardha, kolltuqet dhe mbulesat në shumicën e dhomave janë të tilla, perdet e lehta lino dhe karriget e kashtës të lyera, po ashtu. Lehet e luleve tej dritareve dekorojnë me dritën e tyre, edhe kur kthehen në tapet mbi tokë. Ndonëse nuk është koha e rënies intensive të gjetheve, bari mban aty-këtu të tilla. Maria thotë se në vjeshtë është një mrekulli më vete, ndërsa çapitet nëpër kopsht dhe ndjen “shtrak-un” e gjetheve të thara.

Shtëpi e stilit të vilave të udhëheqjes, ndoshta arkitekturë lindore, as arkaike, as kontemporane, as tepër elegante, as tepër robuste, edhe franceze, edhe shqiptare, me orendi të mbledhura e të blera nëpër pazare suveniresh, tregje të zakonshëm, dyqane të modës dhe oferta të rastit…Kjo është shtëpia e Maria Terezës, parizianes së vetme që mban pasaportë shqiptare.

Një shtëpi me shumë dyer xhami e shumë ballkone, nuk ka nevojë për shumë orendi. Vetë peizazhi që hyn përmes tyre është një “veshje” për dhomat. Sidoqë, orenditë e mëdha janë të pakta, ato më të voglat nuk janë të tilla. Mari Tereza është e pasionuar pas antikiteteve. Në një nga raftet e bëra prej gipsi (ajo nuk i gjen dot emër tjetër veçse bibliotekë), një pllakë bakri ka të gdhendur portretin e Abdyl Frashërit. Pak më poshtë, seria e librave të Kadaresë, një këmborë bronxi, një shtatore allçie…Dhe të gjitha të vendosura në “bibliotekën” e Marias që ngjan si fletore me kuti katrore. Edhe këtu përsëri mobilja ishte e tepërt. Biblioteka-gips i siguronte dhomës funksionin dhe ndriçimin.
Nëse kërkon diçka perfekte, nuk do ta gjesh: Marias kjo gjë nuk i pëlqen. Njëri nga tualetet është thuajse po ai që ka qenë, me pllakat e mermerit të kohës së Enverit me të cilat shtroheshin zakonisht institucionet qendrore, po ajo dritare e vaskë. Tjetri, tërësisht “made in France”. Edhe në kuzhinë, Maria nuk i ka lëvizur pllakat e vogla që veshin murin, nga ato që ne, shqiptarët, nxitojmë t i zëvendësojmë). “Më pëlqejnë se janë të bardha,- thotë ajo.- Nuk gjej arsye për t i hequr”.
Francezja nuk është një grua me trille krejt të zakonshme. Ajo nuk ka pretendime aty ku shumë gra të tjera kanë, ndërsa kërkon të ketë në shtëpi, objekte që duken si trille e që shumë nuk i kanë imagjinuar si objekte familjare. Koka e një vajze në bronx, voluminoze, qëndron mbi mobiljen e bardhë të njërës prej dhomave të gjumit. Ndërsa vazhdon të na udhëheqë më tej në shtëpinë e saj si labirinth, e ne na duket vetja si turiste, tregon pikturat abstrakte të piktorit shqiptar Korini, të cilin e ka për zemër. Më tej, në një telajo të pakornizuar- Durrësi vite më parë. “Dua ta kujtoj ndërsa lëviz në shtëpi, se jetoj pikërisht në këtë qytet”,- thotë ajo

Francezja fantaziste
Eshtë interesante kjo francezja! Gratë e tjera do t u kishin ngrënë veshët burrave, derisa t i kishin çuar pranë kazanëve të plehrave këto dyer të vjetra. Ndërsa Maria, përkundrazi; ato që njerëzia i nxjerrin jashtë si të panevojshme, u gjen një funksion:

Kjo tavolinë e madhe buke nuk është blerë në ndonjë dyqan mobilerie në Tiranë, nuk është sjellë nga Franca, as nuk është porositur. Ajo është pjellë e fantazisë së francezes Mari Tereze, që jeton në Tiranë.
Në fakt, ajo ka qenë një kanatë dere e madhe, e vjetër. Por në kokën e Marias, dera mund të bëhej fare mirë tryezë buke. Madhështinë kësaj here do ta tregonte në dhomën e veçantë të ngrënies së vilës buzë detit. Maria mendoi ta dekoronte me guaska të bardha; të vendosura në grupe në kuadratet e thelluara të ish-portës së drunjtë, një ndjesi pranverore që shtohej edhe më, për shkak të kolonave të drunjta bojë trëndafili të përgatitura si këmbëza dhe xhamit të fortë si syrprinë. Për të ruajtur idenë e së vjetrës, porta as që është lyer mirë, por është lënë me anë të gërvishtura që tregojnë drurin në thellësi. Ndërsa syrprina e xhamit duke hyrë në kombinim me derën e vjetër, i jep tryezës pamje sa antike, aq edhe ekstravagante. Edhe ata më skeptikët për shpikje të tilla me vjetërsitë, këtë herë nuk kanë mundur të mos e admirojnë idenë e saj. Gruaja franceze thotë me sy të qeshur: “Gjërat e bukura nuk bëhen gjithnjë me shumë para, bëhen edhe me ide.”

Mari Tereze: “Shqiptarët duan t i kenë të tëra moderne, moderne, moderne…por të vjetrat kanë sharmin e tyre”

Historia e rrallë
Çifti francez bën dasmë mirënjohjeje në Shqipëri
Maria tregon: “Dhëndrit i shpëtuan jetën mjekët e Tiranës”

Mari Tereze Marshall, pariziania e shndërruar në tiranse, ka pesë fëmijë. Këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Por e habitshme është se një nga tri vajzat e saj që jeton në Francë, zgjodhi të celebrohej dhe të bënte darkën e martesës në Shqipëri. Burri i saj- gjithashtu francëz. Maria tregon motivet e kësaj historie. E bija dhe i fejuari i saj kishin ardhur me pushime në Sarandë. Por atje, djaloshit i filluan dhimbjet e padurueshme të apendisitit. Me urgjencë udhëtoi drejt Tiranës dhe mbërriti në QSUT “Nënë Tereza” në gjendje të rëndë. Apendiciti i kishte plasur, kishte bërë peritonit. Mjekët e futën me urgjencë në sallë. E shpëtuan. Emocionet e kësaj ngjarjeje që kurrë nuk kishte pritur se do t i kalonte në vendin e vogël, e nxitën që të vendosë të martohet pikërisht këtu: në tokën jetëshpëtuese. Në Bashkinë e Tiranës çifti i të rinjve francezë u celebruan, më pas një festë e vogël në ëmbëltoren e Marias tek ish-blloku dhe darka në vilën në Durrës. “Kanë ardhure 45 persona nga Franca,- thotë Mari Tereze dhe u pëlqeu shumë dasma këtu. Doli shumë e bukur. Tani të gjithë fëmijët e mia janë në Francë, të gjithë kanë profesione dhe fëmijë”
Ky lajm është publikuar: 27/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›