E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, 5700 policë në qendrat e votimit

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash nga strukturat përgjegjëse për menaxhimin e situatës në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës.

Rreth 5700 efektiva të Policisë do të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që do të zhvillohet të dielën në mbarë vendin. Burime nga Policia e Shtetit, bëjnë të ditur se është hartuar një plan masash nga strukturat përgjegjëse për menaxhimin e situatës në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës.
Ndërkohë që të gjithë punonjësit e policisë të angazhuar në këtë proces kanë kryer një trajtim për disa javë, në përfundimi të të cilit janë pajisur me një libër xhepi ku kanë të shënuara të gjitha detyrat e tyre.
Policia
Punonjës të policisë, të trajnuar për ruajtjen dhe qetësinë gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare kanë marrë dje udhëzimet e fundit. Rreth 5700 efektivë do të shpërndahen në gjithë vendin ndërsa detyrat e tyre janë të paracaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Krahas dispozitave të parashikuara në ligjin "Për Policinë e Shtetit" edhe KQZ, si institucioni që administron procesin elektoral, ka miratuar udhëzime të posaçme ku parashikohen detyrat e strukturave policore dhe forcave të ushtrisë gjatë periudhës zgjedhore. Udhëzimet e Komisionit elektoral përcaktojnë që rendi dhe siguria gjatë zgjedhjeve ruhet nga Policia e Shtetit. Kjo e fundit bashkëpunon ngushtësisht me KQZ-në lidhur me përmbushjen e detyrave gjatë procesit, si ruajtja e selive të KZAZ-ve nga momenti kur në to mbërrijnë materialet e votimit e deri në datën e zgjedhjeve.
Masat
Zgjedhjet e 28 Qershorit do të mbikëqyren nga 5700 punonjës policie, që tashmë kanë marrë numrin e tyre të identifikimit. Burime nga Policia e Shtetit bënë të ditur se hartimin e planit të policisë për zgjedhjet, duke dhënë garanci se askush prej këtyre 5 mijë policëve nuk do të guxojë të prekë votën. Sipas të njëjtave burime, mësohet se pak kohë më parë, në përputhje me Kodin Zgjedhor, Policia e Shtetit është njohur me rolin dhe detyrat e saj dhe për këtë ka programuar një sërë masash, që kryesisht ne i kemi ndarë në tri faza. Faza e para që ka nisur muaj më parë, ka qenë ajo përgatitore dhe njohëse e dokumenteve ligjore, ku është nisur pikë së pari me Kodin Zgjedhor, ku dhe përcaktohet roli i policisë. Faza e dytë ka qenë përgatitja e efektivave të policisë në përputhje me këto obligime ligjore, ku janë trajnuar rreth 5300 punonjës policie të të gjitha niveleve për rolin dhe misionin e tyre në këto zgjedhje parlamentare. Ndërsa faza e tretë është muaji zgjedhor dhe dita e zgjedhjeve. Veç këtyre trajnimeve, çdo punonjësi policie që është i ngarkuar të ndjekë procesin zgjedhor, i është vënë në dispozicion edhe një libër xhepi, ku janë përcaktuar qartë detyrat e tij në këtë proces.

Detyrat e policisë
Punonjësi i policisë i ka detyrat të qarta në ditën e zgjedhjeve, referuar edhe Kodit Zgjedhor. Ai duhet të marrë në ruajtje materialet zgjedhore në qendrat e votimit, për aq kohë sa nuk janë përfaqësuesit e Komisioneve Zgjedhore. Në momentin që komisionerët paraqiten në qendrën e votimit, punonjësi i policisë largohet nga qendra në një stacion të afërt, në pritje dhe i gatshëm për të ofruar ndihmë, në qoftë se kërkohet nga komisioni i votimit. Kuptohet që gjatë praktikës së zgjedhjeve të kaluara ka pasur precedentë, ku Komisioni i Qendrës së Votimit ka kërkuar ndërhyrjen e efektivave të policisë dhe për këtë është bërë një trajnim i specializuar i tyre, kur dhe si do të jetë ndërhyrja. Një punonjës policie do të ndërhyjë vetëm me kërkesën e komisionit zgjedhor të qendrave të votimit dhe kjo kërkesë të jetë e firmosur nga më shumë se gjysma e anëtarëve të komisionit. Kjo kërkesë duhet të jetë e protokolluar dhe krejtësisht konform rregullave.

Ky lajm është publikuar: 27/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›