E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frashëri: Të harrojmë kurbetin e të lëmë çobanllëkun

 

ALMA MILE

Ka kaluar gati një shekull dhe ai vazhdon të jetë aktual. Ajme, kjo nuk duhet të ndodhte, megjithatë duket se gjërat ecin shumë ngadalë për Shqipërinë. Ishte fillimi i shekullit XX, kur Mit’hat Frashëri, i njohur aso kohe në qarqet publicistike si Lumo Skëndo fliste për plagët nga e cila vuante Shqipëria. Ai madje, tentonte të rekomandonte edhe “ilaçet”, që do ta shëronin vendin nga kjo lëngatë. Pasi kanë kaluar më shumë se 80 vjet që atëherë, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit sjell për lexuesin shqiptar një ndër veprat më të rëndësishme të mendimit shqiptar të shekullit XX, “Plagët Tona” me autor Mit’hat Frashërin, një nga mendimtarët e mëdhenj, jo vetëm të kohës së vet. Të botuara fillimisht në formë artikujsh nga Lumo Skendo, më pas, në vitin 1924, u përmblodhën në formë libri nga botuesi Kristo Luarasi, me titullin domethënës “Plagët tona. Ç’të na mungon? Çë duhet të kemi?”. Një libër që asokohe bëri mjaft bujë e ngjalli mjaft diskutime. Por që, edhe pse që atëherë kanë kaluar kaq shumë vjet, vazhdon të mbetet i rëndësishëm dhe aktual. Sipas botuesve këto shkrime na ofrojnë “me një guxim e qartësi intelektuale të lakmueshme, mundësinë për të njohur më mirë veten e njëkohësisht, shpjegimin e disa prej arsyeve që s’na lënë të bëjmë përpara”. Libri, i pakët nga faqet, por i plotë nga përmbajtja, është një përmbledhje shkrimesh të titulluara “Ideali”, “Të metat tona. Të veprojmë”, “Dedikuarë të pasurvet, djalërisë, intelektualevet”, “Bej, Harbut”, “Shkrimtarëvet”, “Gazetarëvet”, “Gravet”. “Nukë munt t`a mohojmë se Shqipërija jonë gjendetë sot në një situatë delikate, të vështirë. Ankimet janë të shumë dhe çdo njeri pandeh se diagnostikon sëmundjen dhe gjen ilaçin duke u ankuarë; kujton se qarja e shëron lëngatën. Kujdesi më i parë i atyreve që shohin të keqen dhe rezikun, ka qënë qysh të ngarkojnë dokë me faj. Pandehin se me këtë mënyrë çduketë e liga dhe shpëton vëndi. Të tjerë gjendenë që as mejtojnë fare, as shohin, se nuk shikojnë. Artikujt që po pasojnë s`janë as për të parët, as për të dytët”, thotë vetë Mit’hat Frashëri.

Pjesë të shkëputura nga libri “Plagët tona”

Të marrim përgjegjësitë mbi vete
Qarja më e madhe sot në Shqipëri është prej situatës ekonomike, nga shkuarja dhe rrojtja që u bë fort e rëndë. Varfërija që mbretëron sot në vëndin tënë s‘është një sëmundje më vete: është shënja, simptoma e një lëngate më të madhe, mbase dhe e shumë sëmundjeve. Pa diturë shkaku, pa gjeturë rrënjën, nuk munt që t‘i heqim një mur së ligësë. Faji më i madh, burimi i kësaj që vuajmë, është se, kushdó prej nesh j‘a heth fajin tjatrit; as kush nuk do që të marrë një përgjegjësi përsipër. E pret nga tjatrë kush ndreqjen e të metave, shpëtimin prej çdo pësimi.
Bëjmë sikur harrojmë që Shqipërija është shtëpija jonë dhe që ne vetë do t‘a ndreqim dhe t‘a vëmë jashtë valëve të shtërgatësë.
Shqipërija, sot vendi më i varfëri i dheut, është dhe ay më i shtrënjti, ku jetesa kushtón më teprë se tekdó gjetkë. Burimet e fitimit po rrinë të mëshelë, ku se nga çdo anë shpenzimet gjejnë rëke të ra. Gjithë vuajnë dhe qahenë. Po kujtojnë se një fuqi e huaj, një krah prej qielli, do t‘i nxjerrë nga e keqja. Të dy krahët e vetë s‘i mejtón kush. U pëlqen më mirë të eksploatojnë një të tretë, se sa të pshtetenë mbi fuqinë e tyre personale.
Shtrenjtësi e jetësë na bën të vuajmë, se rrojmë keq, dhe me shum‘ mundime. Dhe s‘mejtojmë cilin burim prej pasunivet që ka dheu ynë duhet që të përdorim. Shqipëtari, thonë, rron me bujqësinë dhe bagëtinë. Unë do të shtonj një mjeshtëri të tretë: Kurbeti. Që të shpëtojmë nga varfërija duhetë që të harrojmë kurbetin, të pakësojmë “çobanllëkun”, të shtojmë bujqësinë. Duke u liruarë buka do të lirohet dhe jeta.
Kur të punojë “robi” dhe të begatohet, atëherë do të zërë të zhvillohetë dhe industria, pa të cilën nuk munt të kemi kurrë një prehje ekonomike.
Shqipëria, vendi më i varfër mbi dhe
Po Shqipërija vuan prej një lëngate më të madhe që po i brin eshtërat: popullimi. Ne kjo e gjej rrezikun më të math që na ka hipurë mbi krye, që na kanoset ekonomikërisht dhe politikisht, se po shkakton dobësin tonë materiale dhe morale.
Të shtuarët e popullsisë është për neve një çështje jete; me të tetë-qind mijë e ca banorët që kemi sot, jemi duke formuarë vëndin më të varfrë dhe Shtetin më të dobët të dheut; në mos i dhënshim kësaj çështjeje importancën që meritón, pritmi ynë me të vërtet vizatohet në ngjyra të errëta.
Çështja kaq‘ importente dhe vitale e popullëzimit është lidhur me atë të shëndetësisë dhe të shoqërive bamirse, më teprë akoma me krijimin e shoqërivet të gravet. Në qoftë se nukë zgjojmë mëmën, djalin e kemi dënuarë për vdekje.
Që të shpëtojmë prej greminës dhe të sigurojmë një lumtëri, duhet të këqyrim plagën tënë drejt për drejt, të interesohemi, të përpiqemi, të reaktojmë. Po rrojtja e një populli, mbajtja dhe lulëzimi i një kombi, i një Shteti, s’është vetëm me mjete materiale; kërkón dhe një shumicë kondita morale, një fuqi të mëndjesë dhe të shpirtit, që sigurojnë përparimin dhe qytetërimin, që e bëjnë até komb dhe até  Shtet të zërë një vënd të ndershmë në shoqëritë e sotme. Fuqija morale dhe shpirtënore është ajo që sigurón edhe pushtetën materiale, mirëshkuarjenë fizike.
Puna është shërimi
Në këtó të paka faqe kam radhitur një diagnostik. Si çdo plagë, edhe tonat shërohen. Dëshëronj që, kur të bjerë kjo broshurë në duart e këndonjësvet, plagët tona të jenë vetëm një kujtim. Çdo njeri që rron detyrohet të shërojë trupin e tij.
Ilaçi është aktiviteti material dhe moral.
Aktiviteti është puna, dhe puna bëhet me vullnet dhe me dashje.
Puna s‘është shorta e një njeriu, e një palë të njerëzve: është pjesa e të gjithëve. Ftonj këndonjësit e mij të kuptojnë mirë barën që u bie: të mos e pandehnjë askush vethen‘ e tij lark çështjesë; flas për të gjithë. Të lutem edhe ty, e dashurë këndonjëse, të meditosh mbi detyrën e madhe që ke, mbi shërbimin e math që munt të bësh. Çdo shqipëtar gjendetë sot përpara gjykatores‘ së historisë. Historija po na gjykón: në mos patmë fatin të jemë stërniprë të lumturë të stërgjyshëvet fatosë, kemi detyrën të përpiqemi që të bëhemi, ne vetë, stërgjyshër të ndershmë për nipët tanë.
Ideali të çon përpara
Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jete madhëri dhe nderi i shqipëtarit, njësi dhe bashkimi i kombit, lumtëri dhe përparim i përgjithshëm. Në qoftë se bindemi që duhet të jemi një faktor qytetërimi në Ballkanë, që do t‘a bëjmë vendin tënë një kënd toke të lulëzuar, të pajuarë me gjithë bukuritë morale dhe materiale, se do t‘a bëjmë kombin që të përmëndetë me nderim dhe lëvdatë, atëherë, padyshim, do të ecim, do të përparojmë, të bashkuarë, të fuqisuarë, se do të kemi një dritë, drita që na jep dëshira e nderit dhe e madhërisë së përbashkët, dëshira që të zëmë një vënt në histori, një vënt nderi me një qytetëri tonë, me një literaturë, me një art, me një prosperitet lëndor tonë. Fuqija e shpirtit, ideali kombiar, do të na japë hov edhe për lumtërinë materiale.
Ahere, kur të jetë ndezurë në zëmrët tonë ky zjarr i ngrohtë, do të shohim se bashkimi i dëshiravet dhe i fuqivet, është një nevojë për neve, se therorësi e egoizmësë vetiake është një qejf për neve, se ne të gjithë do të shikohemi si vëllezërit e shokëruarë për veprën e përbashkët, për të ngrehurë godin‘ e shëndoshë të madhërisë sonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›