E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB: Skema jonë nuk sjell ndarjen; Kosova refuzon

 

Misioni EULEX dhe raporti i Ban Ki Mun mbi zbatimin e tij në Kosovë kanë mbajtur deri në orët e vona në Këshillin e Sigurimit diplomatët përfaqësues të vendeve anëtare dhe ministrat e Jashtëm përkatës të Kosovës dhe Serbisë. Diskutimi ka përballur në qëndrime të kundërta ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç dhe atë kosovar, Skënder Huseni. Takimi me dyer të hapura është mbajtur mbrëmë vonë në zyrat qendrore të OKB në Nju Jork, por ai është paraprirë të martën mbrëma nga një takim tjetër me dyer të mbyllua mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve perëndimore, të cilët janë përpjekur të gjejnë një marrëveshje mes tyre për EULEX-in, para se të niste beteja e hapur publikisht. Sipas burimeve diplomatike për “Reuters”, Rusia ka kërkuar një deklaratë, ku të përkrahet në mënyrë eksplicite plani 6-pikësh i OKB-së, i cili mbështetet nga Serbia, por është hedhur poshtë nga Kosova. Kundër kësaj kërkese kanë reaguar SHBA dhe disa evropianë, të cilët nuk dëshirojnë që Këshilli i Sigurimit ta mbështesë këtë plan, duke preferuar një deklaratë të përgjithshme të mbështetjes për vendosjen e misionit EULEX, që OKB-së i jep mandat të qartë për të filluar transferimin e autoritetit tek Bashkimi Evropian. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun ka shkruar në raportin e tij se EULEX do të marrë kompetencat e UNMIK-ut, rikonfigurimi i të cilit ‘ka nisur në përputhje me realitetin e rrethanave aktuale në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe Deklaratës së Kushtetutës’. Në raportin e fundit, Ban Ki Mun ka kërkuar që EULEX të jetë neutral ndaj statusit, të mos vendoset në veri të Kosovës ku jetojnë shumica serbe dhe të funksionojë në vijim të rezolutës 1244 të OKB-së, e cila nuk e njeh statusin pavarësi të Kosovës.
Takimi
Takimi ka nisur në Nju Jork rreth orës 15:00 me orën lokale (ora 21:00). I pari ka diskutuar kryeadministratori i Kosovës, Lamberto Zannier, i cili ka theksuar se plani i Ban Ki Mun është e vetmja garanci për shtrirjen e misionit EULEX dhe se UNMIK ka nisur të përshtatet me ndryshimet në bazë të rezolutës 1244. Më pas e kishte radhës ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç i cili ka rikonfirmuar qëndrimin e Beogradit për të mos hequr dore nga Kosova dhe ka ftuar Këshillin e Sigurimit që ta miratojë planin 6 pikësh. Ndërsa Hyseni, i cili e ka fituar të drejtën e fjalës, ka theksuar se vendosja e EULEX-it duhet të respektojë integritetin e Kosovës. “Falënderojmë vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që është e pakthyeshme. Për ne ka rëndësi që vendosja e misionit EULEX duhet të respektojë integritetin e vendit”, ka deklaruar Hyseni pasi theksoi progresit e Kosovës pas pavarësisë.  Ministri kosovar ka deklaruar se Prishtina është kundër planit, pasi ai sjell ndarjen e Kosovës, duke e bazuar kundërshtimin në analiza të ndryshme dhe jo baza emocionale. Megjithatë, zëdhënësi i Ban Ki Moon, Brenden Varma ka deklaruar për BBC se asnjëherë nuk është bërë thirrje për ndarjen e Kosovës dhe kjo nuk po praktikohet edhe tani. Varma sqaroi se sekretari i Përgjithshëm ishte i vetëdijshëm për reagimet e kundërta, por fakti që autoritetet kosovare kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me EULEX është inkurajues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›