Ndoka e Shehi, thirrje Prokurorisë: “Hetoni manipulimin e zgjedhjeve!”
Eljona Ballhysa
Partitë e vogla të djathta kanë protestuar dje në dyert e Prokurorisë së Përgjithshme për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, akuzoi gjatë fjalës së tij maxhorancën, e cila, sipas tij, po pengon hetimin e zgjedhjeve. Ndoka bëri të ditur se vizita e tij dhe e Dashamir Shehit në Prokurorinë e Përgjithshme është për të mbështetur organin e akuzës që t’i shkojë deri në fund procesit hetimor dhe të zbardhë manipulimin që është bërë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Pak kohë më parë Ndoka ka depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal për më shumë se 12 komisionerë të qarkut të Shkodrës. Ata akuzohen nga PDK-ja për manipulim rezultati në favor të PD-së, duke ndikuar në këtë mënyrë në rezultatin përfundimtar të demokristianëve në këtë qark, të cilëve u është hequr mandati i një deputeti. Ndërsa kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka depozituar kallëzim penal për komisionerët e qarkut të Tiranës, pasi pretendon manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve në këtë qark në dëm të LZHK-së.
Thirrja
“Jemi këtu për të mbështetur dhe inkurajuar Prokurorinë në punën e saj, pasi kemi të dhëna se maxhoranca e sotme po ushtron presion për të penguar hetimin e zgjedhjeve. Kemi sjellë prova të pakundërshtueshme, që vërtetojnë manipulimin në votimet e 28 qershorit”, - është shprehur Ndoka. Edhe Dashamir Shehi, partia e të cilit po përpiqet të mbledhë prova për të ngritur një tjetër pretendim për zgjedhjet në qarkun e Tiranës, u shpreh se organi i akuzës duhet të veprojë dhe për këtë ka mbështetjen e të gjithëve. “Dokumentet janë flagrante fare, vjedhja është ashiqare, e dukshme, e numërueshme”, - tha Shehi. Ndërsa Ndoka më tej bëri të ditur se Partia Demokristiane ka dorëzuar një Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e qarkut Shkodër dosjen me provat e vjedhjes së votave të demokristianëve në këtë qark. Ekspertët e kësaj partie, duke ekzaminuar filmimet e procesit të numërimit të votave, konstatuan vjedhjen e votës së demokristianëve në shumë qendra votimi, duke i grabitur kësaj partie mandatin e deputetit në Shkodër. Ndoka kërkoi që Prokuroria të mos e zvarrisë procesin, por të fillojë menjëherë hetimet për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve, si një e drejtë legjitime e qytetarëve dhe e subjekteve politike që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje.
Ndoka i kërkoi Prokurorisë që të mos mposhtet nga presionet e kësaj maxhorance që kërkon të mbrojë hajdutët e votave që e mbajtën në pushtet, por t’i shkojë deri në fund procesit të zbardhjes së manipulimit të zgjedhjeve. Ai tha se KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor shkelën ligjet duke u bërë palë me manipuluesit e rezultatit zgjedhor të 28 qershorit, ndaj presim që Prokuroria, si institucion i pavarur, të kryejë funksionin e saj kushtetues.
Po gjatë paradites së djeshme PDK-ja mblodhi Kryesinë dhe vendosi të mbështesë protestat e të gjitha partive opozitare për zbardhjen e të vërtetës së zgjedhjeve të 28 qershorit, si të vetmen zgjidhje për krizën politike që ka përfshirë vendin.
Presidenti Topi në forumin e Krans Montanës
“Shqipëria është e vendosur të luftojë krimin e organizuar”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori pjesë dje në Forumin e Krans Montanës që po mbahet në Paris, me temë “Bota pas G-20-ës, qeverisja globale dhe lufta kundër krimit transnacional”. Në seancën e djeshme plenare, Presidenti i Republikës mbajti fjalën e rastit si i ftuar special në këtë forum të rëndësishëm ekonomik. Së pari, presidenti Topi vuri në dukje në fjalën e tij se çështja që trajton ky forum është e rëndësishme dhe “kërkon një vëmendje sa politikanësh, aq dhe ekspertësh, bashkëpunimi i të cilëve mund të japë rrugëzgjidhje të efektshme dhe në kohën e duhur”. Duke iu referuar sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, presidenti Topi nënvizoi faktin se ato e kanë bërë të qartë që terrorizmi është një sfidë e përbashkët dhe që lufta kundër tij kërkon veprim të përqendruar e global. Në vijim, kryetari i shtetit ritheksoi qëndrimin se “Shqipëria i dënon kategorikisht të gjitha veprimet e terrorizmit si kriminale dhe të pajustifikueshme, pavarësisht nga motivimi i tyre, format dhe manifestimi. Si vend anëtar i NATO-s dhe aspirues për anëtarësim në Bashkimin Europian, ajo u është bashkuar të gjitha përpjekjeve e luftës të vendeve demokratike duke u bërë pjesë edhe e strategjive dhe veprimeve parandaluese ndaj atyre që sponsorizojnë, organizojnë ose kryejnë akte terroriste”. Gjithashtu, në fjalën e tij, presidenti Topi u ndal dhe në çështjen tjetër të rëndësishme, atë të luftës kundër krimit ndërkombëtar. Presidenti vuri në dukje se ndryshimi i sistemeve politike dhe krijimi i shteteve të reja në Ballkan dhe në Europën Juglindore, i pasuar me konflikte të zgjatura, lehtësoi fenomene të tilla si kontrabandën, trafiqet e paligjshme, grabitjet dhe vjedhjen në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, nacionalizmin ekstrem të shoqëruar me dhunë, të cilat rrezikuan dhe vonuan proceset demokratike në këto vende. “Sot, krimi i organizuar dhe të gjitha shfaqjet e tij janë në luftë të hapur me proceset e forcimit të institucioneve ligjore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në këto vende. Kjo është një luftë shumë e vështirë, e komplikuar dhe e vazhdueshme, sepse përballet me teknika gjithnjë e më të sofistikuara dhe metoda bashkëkohore”, - u shpreh presidenti. “Shqipëria është në pritje të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe e angazhuar në përmbushjen e standardeve demokratike, pjesë e rëndësishme e të cilave është edhe lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit ekonomik, - theksoi ai.
Pollo takon drejtorin e USAID-it, Sean Huff
Ministri i Shtetit, Genc Pollo, i cili është dhe koordinatori i qeverisë për programin e Sfidës së Mijëvjeçarit, zhvilloi dje një takim me drejtorin e komanduar të Misionit të USAID-it, Sean Huff. Përfaqësuesi i USAID-it e njoftoi zyrtarisht ministrin Pollo për rezultatin e tabelës së pikëve të publikuar nga Korporata, sipas së cilës Shqipëria ka shënuar progres në të gjitha fushat dhe në mënyrë të veçantë në luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, zyrtari amerikan theksoi se një rezultat i tillë i hap rrugën dhe ofron mundësitë për programe më të mëdha e të rëndësishme, siç është ai “Compact”.
Pollo shprehu falënderimet e tij për qeverinë e SHBA-ve dhe taksapaguesit amerikanë, Korporatën dhe USAID-in për ndihmën e deritanishme përmes së cilës janë realizuar QKR, QKL, Prokurimi Elektronik, përdormi elektronik i dokumenteve tatimore, si dhe do të realizohen Gjykatat Administrative, deklarimi dhe pagesa elektronike e tatimeve, Agjencia e Planifikimit të Territorit (që zgjidh problemin e lejeve të ndërtimit), Njësia e Përbashkët e Investigimit etj; projekte këto që reduktojnë korrupsionin, pakësojnë varfërinë dhe nxisin zhvillimin social dhe ekonomik.
13 Nentor 2009