Fratini Metës: Progresi politik vjen vetëm duke respektuar kushtetutën
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta takoi dje në Budva ministrin e Jashtëm italian Franko Frattini, i cili garantoi heqjen e shpejtë të vizave, por edhe avokatinë e pakushtëzuar për procesin e marrjes së statusit të kandidatit
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini deklaron se heqja e vizave për Shqipërinë është një proces i pakthyeshëm dhe se autoritetet shqiptare kanë përmbushur kushtet e Komisionit Evropian. Deklarata u bë gjatë një takimi të zhvilluar në Budva, në kuadër të takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës së Evropës Qendrore (NEQ), me homologun shqiptar Ilir Meta. Gjatë takimit, z. Meta nënvizoi angazhimin e Qeverisë shqiptare për të përmbyllur sa më shpejt tre nën-çështjet e mbetura nga Udhërrëfyesi i vizave dhe shprehu mirënjohjen e tij për rolin iniciues dhe kontributin e madh që z. Fratini ka dhënë që në fillim të këtij procesi. Gjithashtu, z. Meta e vlerësoi Deklaratën e Sarajevës si një frymëzim dhe inkurajim për zbatimin e kritereve të vendosura për integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana e tij, z. Fratini vlerësoi punën e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, duke shprehur bindjen se ky proces është tashmë i pakthyeshëm. Në këtë kuadër ai shtoi se Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave me BE dhe se Italia do të vazhdojë mbështetjen e saj të fuqishme në këtë drejtim. Gjithashtu, z. Fratini, shprehu bindjen se Shqipëria do të jetë gati për statusin e kandidatit. Në këtë kuadër, ai theksoi nevojshmërinë e bashkëpunimit të të gjithë faktorëve politikë në shërbim të reformave të ndërmarra, dhe nënvizoi faktin se progresi politik vjen vetëm duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Të dy ministrat diskutuan edhe mbi ecurinë e NEQ dhe theksuan vullnetin e përbashkët për të kontribuar ndaj transformimit të vazhdueshëm të kësaj Nisme në përshtatje të zhvillimeve aktuale dhe për institucionalizimin e marrëdhënieve të saj me BE.