E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategji të veçanta për të shmangur kërkesat për azil, pas marrjes së vendimit për lëvizjen e lirë

Kryeministri Berisha drejton mbledhjen e Komitetit Ndërministror për liberalizimin e vizave

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje duhet ndaluar me çdo kusht çdo tentativë për azil politik vendet e listës së “Schengen-it, pas liberalizimit të vizave Shqipëri-BE.
Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për vizat, shefi i ekzekutivit ngarkoi ministritë për hartimin e një strategjie të veçantë, për të shmangur tendencat e azilantëve politikë në vendet e BE-së. Deklarata e kreut të qeverisë vjen në një kohë kur Brukseli ka kritikuar standardin negativ të vendeve ish jugosllave, të cilat pas hyrjes në Schengen liberalizuan kërkesat e qytetarëve të tyre për azil politik në Bashkimin Evropian. Kreu i qeverisë shqiptare vuri në dukje se kërkesat për azil politik nga vende të cilat respektojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë të gabuara. “Specifika shqiptare e saj është se individë dhe grupe të caktuara, pas liberalizimit të vizave me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, qytetarë me origjinë shqiptare nga këto vende kërkuan azil politik, gjë e cila ishte një vendim shumë i gabuar nga ana e tyre, sepse azil politik për qytetarët që jetojnë në vende, ku respektohen kriteret e Kopenhagenit dhe zhvillohen zgjedhje të lira, është i përjashtuar. Sidoqoftë edhe po të mos ishin këta, ky lind si problem shqetësues dhe natyrisht, çdo njeri që mendon se mund të qëndrojë jashtë rregullave shumë të favorshme të BE-së për heqjen e vizave, do të përballet me ligjin e këtyre vendeve, i cili thotë se brenda 90 ditëve duhet të kthehesh në shtëpinë tënde, vendin tënd”- u shpreh kryeministri Berisha, duke theksuar se kërkohet një Strategji që të përcaktojë të gjithë qëndrimin e institucioneve shqiptare ndaj këtyre personave, qëndrim që bazohet gjithnjë në të drejtat dhe liritë e tyre, në trajtimin njerëzor, por natyrisht, rikthimi i tyre është i pashmangshëm dhe i detyrueshëm, nga ana ligjore.
Kryeministri tha se qeveria do të japë fonde të veçanta dhe nëse do të jetë e nevojshme dhe nëse do të ketë probleme, këto fonde do të shtohen. “Ramë dakord që Ministria e Brendshme dhe ajo e çështjeve Sociale të ngrenë agjenci të përbashkët dhe kjo është arsyeja që e thirrëm këtë mbledhje. Problemi i dytë është lëvrimi nga Ministria e Financave të të gjitha fondeve të miratuara nga qeveria për Ministrinë e Brendshme. Kështu që kjo do të ndodh deri nesër”, deklaroi kryeministri Berisha.
Berisha ka kërkuar sensibilizimin e qytetarëve shqiptarë se çfarë do të thotë liberalizim i vizave dhe mbi të drejtat që mund të kenë ata për të udhëtuar në zonën “Schengen”.
Për këtë, ai tha se një rrugë është gjetur duke përdorur spote televizive, për t’iu treguar qytetarëve se nuk mund të qëndrojnë në vendet e Bashkimit Evropian më shumë se 90 ditë.
Duke u ndalur te plotësimi i kritereve për heqjen e vizave, Berisha tha se në muajin korrik, pritet të vijnë në Tiranë inspekorët e Komisionit Evropian për të parë në vend plotësimin e tre kërkesave shtesë të lëna nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, strategjia për riintegrimin e të kthyerëve, zbatimi i ligjit të luftës kundër korrupsionit dhe zbatimi i ligjit antitrafik.
“Në muajin korrik, do të vijnë sërish inspektorët e Komisionit Europian, për të parë në vend zgjidhjet e dhëna për tre kërkesat kryesore që ka paraqitur Komisioni, pas vendimit për të propozuar liberalizimin e vizave. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se serioziteti i punonjësve tuaj, pasi ata vijnë të takohen me homologët e tyre, në mënyrë që të kenë të gjithë informacionin, t’u japin të gjithë eksesin që ata kërkojnë për t’u njohur me realitetin dhe masat që ne kemi marrë. Ky është një proces, i cili ecën mbi bazën e plotësimit të kushteve dhe vetëm mbi bazën e plotësimit të kushteve”- tha kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›