E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Do bëjmë propozime konkrete për buxhetin e vitit 2010

Megjithëse ende nuk kanë nisur zyrtarisht negociatat për krijimin e qeverisë së re, duke lënë në hije emrat që do të jenë pjesë e kabinetit qeverisës PD-LSI, kjo e fundit ka publikuar objektivat e punës së saj për katër vitet e ardhshme. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, ka deklaruar dje se kjo forcë politike do t‘i paraqesë Kryeministrit Berisha propozimet konkrete për buxhetin e shtetit të vitit 2010. Sipas Priftit, këto propozime janë një iniciativë efikase për të nxjerrë nga kriza ekonomike vendin dhe konkretisht sektorët më të prekshëm siç është fshati dhe sistemi energjetik. "Ne do të kemi dhe propozime konkrete për buxhetin e vitit të ri qeverisës 2010, pavarësisht se ai tashmë ka filluar të përpunohet në Ministrinë e Financave dhe ministri të tjera, por me krijimin e qeverisë së re, ne do fillojmë të kontribuojmë për të futur në këtë buxhet disa elementë të nevojshëm që ka LSI-ja në program", është shprehur Prifti. Më tej, ai ka theksuar se LSI-ja, do të përfshijë në këtë buxhet disa nga idetë e saj që ka në program dhe konkretisht përfshirjen e një fondi të veçantë garancie për sistemin bankar për të rritur kreditimin në sektorin bujqësor, dhe në atë energjetik në vend. Sipas Priftit, LSI-ja mendon se, këta dy sektorë janë dy shtyllat kryesore ku rritja e kredisë mund të ketë ndikim të menjëhershëm për zbutjen e krizës dhe tejkalimin e kësaj krize. Prifti shtoi se "fshati shqiptar është në një gjendje shumë të vështirë si pasojë e krizës globale, si pasojë e mungesës së investimeve afatgjata në bujqësi, ndaj ne mendojmë që hapja e këtij fondi garancie nga ana e buxhetit të shtetit dhe qeverisë për të stimuluar investimin në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, apo në industrinë ushqimore, do të ndihmojë fshatin shqiptar të kalojë këtë situatë krize". E njëjta gjë, theksoi Prifti, është dhe në sistemin energjetik. "Janë dhënë sot afro 100 koncesione të ndryshme për hidrocentrale, dhe ka filluar ndërtimi i dy apo i tre prej tyre. Pra ka një nivel shumë të ulët të investimeve në këtë sektor dhe krijimi i këtij fondi garancie bankare do të nxisë investimet në këtë fushë", tha nënkryetari i LSI-së. Ai ka bërë të ditur se në fillimin e qeverisjes së re LSI-ja do fillojë të kontribuojë seriozisht si një forcë e majtë dhe socialiste në një qeveri të përbashkët me të djathtën për të futur elementë të mbrojtjes shoqërore, për të futur elementë të nxitjes së investimeve, të nxitjes së kreditimeve në mënyrë që ajo pjesë e shoqërisë shqiptare që është e prekur nga kriza të ketë mundësi të ketë dorën e shtetit për të kaluar këtë situatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›