E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i PS-së paralajmëron: Protesta demokratike për zgjedhjet

Një ditë pas vendimeve të Asamblesë Kombëtare për të mos pranuar zgjedhjet e 28 qershorit, kryetari i Partisë Socialiste zbardhi aksionin e ri opozitar të sesionit parlamentar që nis në fillim të shtatorit. Në përvijim të situatës ku zgjedhjet janë të papranueshme dhe vetëm zgjedhjet e parakohshme u kthejnë legjitimitetin institucioneve që dalin prej tyre, kryetari i kësaj partie do të organizojë një tur në mbarë Shqipërinë, qëllimi i të cilit do të jetë krijimi i një komunikimi intensiv me qytetarët, çka do të përkthehet me protesta demokratike.

"Ne do të shkojmë menjëherë, apo do të kthehemi menjëherë te shqiptarët e shqiptaret në të gjithë territorin dhe do të ndërtojmë një proces komunikimi intensiv, që do të përkthehet edhe në shfaqje demokratike të protestës për një rezultat të papranueshëm", deklaroi Rama. Përpjekjet e selisë rozë nuk ndalen këtu. Brenda Partisë Socialiste është përgatitur një raport me parregullsitë e zgjedhjeve që do t‘u dorëzohet ndërkombëtarëve. Prania në Parlament do të jetë një tjetër betejë, përmes një komisioni parlamentar për të zbardhur krimin elektoral të 28 qershorit.

Rama shpjegoi termin zgjedhje "të papranueshme", në kontekstin politik. Kreu socialist nënvizoi se PS do të shkojë në Parlament dhe politikisht ajo e nuk pranon procesin zgjedhor për shkak të parregullsive që ai mban në vetvete. Ky qëndrim do të jetë në vazhdimësi, me kërkesën e vazhdueshme për zgjedhje të parakohshme, për të cilat kreu i PS tha se nuk e di se kur do të ndodhin. "Sot ne jemi përpara një Kuvendi të Shqipërisë, që do të formohet, por do të ketë një sovranitet të kontestueshëm politik dhe një qeverie me një mandat politikisht ilegjitim", tha ai.

Rama theksoi se kontestohet sovraniteti politik dhe mandati politikisht ilegjitim, për të bërë një dallim të qartë mes vlerës juridike të rezultatit. "Ne do t‘i kontestojmë vijimësisht, duke përcaktuar një aksion politik që qartësisht do të synojë kthimin e legjitimitetit të plotë për Kuvendin dhe qeverinë e këtij vendi, pavarësisht ngjyrës së saj. Sigurisht, që për të arritur këtë, duhet një tjetër proces zgjedhor, pavarësisht se kur dhe si kjo mund dhe do të ndodhë", tha ai. Në këtë kontekst, Rama shpjegoi se për Partinë Socialiste procesi zgjedhor, politikisht është i hapur për shkak se ajo vlerëson se transparenca është ajo që zgjidh çështjen e legjitimitetit të këtyre zgjedhjeve. "Kutitë e mbyllura përfundimisht nga pikëpamja e përmbajtjes së tyre në raport me rezultatin juridik, ne nuk i konsiderojmë të mbyllura përfundimisht në raport me domosdoshmërinë për të bërë një transparencë që i vlen procesit politik në Shqipëri dhe që është një detyrim karshi popullit shqiptar", vijoi kryesocialisti.

Referuar këtij drejtimi, Rama vuri në dukje se zgjedhjet ishin një shans i humbur jo për humbësin apo fituesin, por për shqiptarët. Sipas tij, demokracia e këtij vendi është në rrezik, ndërsa është mjaft i rëndësishëm kthimi i legjitimitetit të Kuvendit. Sa i përket pyetjes nëse ky qëndrim do të vijojë të jetë i tillë edhe nëse Rama nuk do të jetë kryetar i PS, kreu socialist u shpreh i bindur se kjo është rruga e duhur pavarësisht se çfarë ndodh.

Për kundërshtarët

"U kujdesën për statutin,

nuk folën për zgjedhjet"

Kreu i PS-së komentoi dje edhe zërat kundër dhe firmosësit e një tjetër rezolute që u paraqit në mbledhjen e Asamblesë. Rama i konsideroi ata miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë, por u tregua kritik kur u shprehu se të gjithë u shqetësuan për të zbatuar statutin për largimin e kryetarit dhe harruan të flasin për 28 qershorin. "Është për të ardhur keq, që ndërkohë i tërë diskutimi u fokusua në këtë aspekt, që ka të bëjë me një vendimmarrje të Partisë Socialiste dhe nuk u fokusua në një aspekt tjetër. Zgjedhjet e 28 qershorit, nuk janë zgjedhjet që meritojnë shqiptaret dhe shqiptarët", tha ai. Megjithëse ai vlerësoi si mjaft pozitiv mendimin ndryshe. "Në mënyrën më absolute, shtoi Rama, unë i shikoj të gjitha përpjekjet, e të gjithë miqve, bashkëpunëtorëve dhe kolegëve për të hapur një debat lidhur me një qëndrim që është shumë i rëndësishëm politik të PS në raport me një proces zgjedhor", deklaroi Rama.

Parregullsitë

"Zgjedhjet, procesit i

mungoi transparenca e duhur"

Edi Rama renditi dje disa prej pikave ku kontestohen zgjedhjet dhe që sipas dëshmive që ka mbledhur selia rozë kanë ndikuar në rezultat. Së pari, Rama e vuri theksin tek elementët kriminalë që sipas tij u vunë në lëvizje nga Partia Demokratike. Kreu i PS tha se kriminelët u nxorën nga burgu dhe kanë shërbyer për PD-në gjatë kohës së fushatës dhe ditës së zgjedhjeve. Një tjetër shqetësim i shprehur është mungesa e transparencës në procesin e numërimit. "Ka pasur një mungesë deformuese transparence gjatë gjithë procesit të numërimit, gjë që ju e keni vënë re dhe e keni bërë të ditur edhe për publikun, nga vetë raportet paraprake të vëzhguesve ndërkombëtarë, në më shumë se 1/3 e qendrave të numërimit, gjë që kulmoi më pas me mohimin nga KQZ të së drejtës së ligjshme dhe demokratike, jo vetëm për PS, por edhe për partitë e tjera", deklaroi Rama. Një tjetër shqetësim, është presioni i ushtruar mbi zgjedhësit ditën e zgjedhjeve për të mos mundur të shprehin vullnetin e tyre të lirë.

Rikandidimi

"Do ta merrni vesh në

kohën dhe momentin e duhur"

Në prag të shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, kryetari i PS vlerëson si më të rëndësishme të bërit opozitë sesa të zbulojë detaje nga Kongresi i 29 gushtit. Pyetjeve nëse ai do rikandidojë, nëse do ketë një ndryshim të sekretariatit etj., ai u dha të njëjtën përgjigje: "Të gjitha do kuptohen në kohën dhe momentin e duhur". Për sa i përket legjitimitetit të mandatit të tij në krye të partisë, Rama vuri në dukje se është një kryetar në detyrë. "Një kryetar në detyrë është një kryetar që bën detyrën dhe detyra që ka kryetari në detyrë është detyra e kryetarit", shtoi kryesocialisti. Por ai mohoi kategorikisht se platforma e tij me të cilën tentoi të qeveriste ka dështuar. "Bindja ime është që shqiptarët dhe shqiptarët na kanë votuar, por ata nuk janë lejuar të shprehin vullnetin e tyre ose vullneti i tyre nuk është lexuar siç duhej", tha Rama.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›