“Përbindëshi i Kadaresë, romani i terrorit politik”
“Kadare është një krijues i mrekullueshëm librash, historish që zhurmojnë nga ndjenja të dhunshme, të qeverisura me inteligjencë të mprehtë, të ashpër dhe gjeometrike”. Kështu do të shprehej shumë vite më parë për shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare, kritiku, gazetari, filozofi, një nga figurat më të shquara të kulturës italiane, Giorgio Manganelli. Manganelli ishte një nga ata njerëz që pati fatin të shfletojë romanet e Kadaresë, qysh para viteve ’90. Për mjeshtrin e letrave italiane, nuk ishte e vështirë të dallonte një tjetër të sërës së vet. Por tanimë janë mbushur plot 20 vjet që Manganelli është ndarë nga jeta dhe ca më tepër që nga koha, kur ai do të konstatonte një “krijues të mrekullueshëm” në letërsinë shqipe. Prej aso kohe shumë të tjerë kanë mbështetur opinionin e italianit, i cili nuk e arriti kohën kur Kadare do të vlerësohej me çmime ndërkombëtare dhe do të ishte disa herë pretendent për çmimin “Nobel” në letërsi. Por bashkëkombësit e tij, po, të cilët këto ditë marrin në duar dy vepra të tjera të Kadaresë. Bëhet fjalë për dy vepra të shkruara larg në kohë nga njëra-tjetra e që përcjellin mesazhe tërësisht të ndryshme. Shtëpia botuese italiane “Longanesi” sapo ka hedhur në qarkullim romanin e ri, “Aksidenti”, kurse disa ditë më vonë, më 22 prill pritet që nga shtëpia botuese “Fandango” të hidhet në treg një nga romanet më të fortë të shkrimtarit, “Përbindëshi”. Pas Manganellit, e të gjitha vlerësimeve botërore, Kadaresë nuk i nevojitet një kalë Troje për të hyrë në Itali. Prej vitit 1981, ai njeh rreth 40 botime dhe ribotime në vendin fqinj, madje veprat e tij kanë hyrë edhe brenda qelive të burgjeve, si literaturë e përshtatshme për t’u lexuar nga njerëzit e dënuar me heqje lirie.
“Aksidenti”: Dashuria e vërtetë, apo imazh?
“Aksidenti”, botuar fillimisht në gjuhën frënge e më tej në shqip, vërtitet rreth një aksidenti automobilistik. Një mëngjes tetori, një taksi që udhëtonte drejt aeroportit austriak del nga rruga. Për shkak të përplasjes mbeten të vdekur dy pasagjerët me kombësi shqiptare. I gjithë romani është i mbuluar nga misteri: çfarë ndodhi në sediljen e pasme të taksisë? çfarë pa shoferi prej pasqyrës, që e shpërqendroi deri në dalje nga rruga? “Duke marrë parasysh dimensionin emocional, historik dhe politik kjo histori lë të hapur deri në fund dyshimin për zgjidhjen e këtij misteri”, shkruhet në median italiane. Ajo çka Ismail Kadare, (përtej fakteve) kërkon të shqyrtojë në këto faqe është një histori dashurie. Gjithçka është e mjaftueshme për të nxitur lexuesin që ai të pyesë veten nëse dashuria ekziston vërtet, është vetëm një iluzion, apo maskë. “Kur u pyet për të njëqindtën herë në lidhje me atë çka kishte parë konkretisht, shoferi nuk diti të përgjigjej. Edhe ndërhyrjet e mjekut, i cili kishte rekomanduar që pacienti mos të lodhej, nuk e penguan gjykatësin për të vazhduar. Shoferi e kishte parë të gjithë pamjen e aksidentit nga pasqyra e pasme... me fjalë të tjera çfarë kishte ndodhur në sediljen mbrapa të taksisë, që ishte kaq e çuditshme dhe e kishte shkëputur atë nga makina? Ndoshta një grindje me dy pasagjerëve? Apo ndoshta gjithçka kishte ardhur për shkak të përkëdheljeve të tyre të forta? I plagosuri tundi kokën e tij: nuk ishte asnjë prej këtyre gjërave. Po pastaj? Pothuajse i bërtiti tjetri. Pse e keni humbur mendjen tuaj? çfarë dreqin keni parë? Mjeku ishte duke ndërhyre sërish, kur pacienti rifilloi të tregojë. Në fund të fjalimit të tij, i cili dukej sikur nuk të mbaronte kurrë, gjykatësi dhe mjeku shkëmbyen me mëdyshje mes tyre një vështrim. Sipas të plagosurit, të dy udhëtarët në sedijen e pasme të taksisë... vetëm kishin... kërkuar ... në të gjitha mënyrat e mundshme... të ... putheshin”, shkruhet në një nga faqet e romanit.
“Përbindëshi” i censuruar
“Një roman i terrorit dhe ankthit”. Kështu po komentohet në shtypin italian romani “Përbindëshi” i Ismail Kadaresë, i cili pritet të dalë më 22 prill nga shtëpia botuese “Fandango”. Ndonëse nuk ka dalë ende në shtypin italian, subjekti i romanit, por edhe historia e krijimit të tij ka ngjallur kureshtjen e kritikës letrare dhe të lexuesit italian. Romani është njëra nga veprat më të njohura dhe më të veçanta të shkrimtarit. Jemi në vitin 1960, kur Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik sapo kanë prishur marrëdhëniet mes tyre. është koha kur Kadare kthehet nga Moska. “Prishja mes dy vendeve krijon ankth në popullatën shqiptare, sidomos në mesin e studentëve. Dhe ky shqetësim vendoset në qendër të romanit, me të gjithë gjendjen e sëmurë të njerëzve dhe perceptimin e rremë të botës, një këndvështrim sfidues që u shfaq nën emrin e veprës “Përbindëshi”, në vitin 1965 dhe që u censurua në Shqipëri për 25 vjet me radhë. Pikërisht pasqyrimin e këtij ankthi të përdorur nga regjimet politike, Kadare e vendosi apo më mirë e transferoi nga vendi i tij në vendin mitik të Trojës”, citon agjencia informative “affariitaliani”. Simboli i kësaj politike të grekëve, të pranuar nga trojanët është kali i stërmadh i braktisur në portat e qytetit. Pra, në këtë mënyrë romani i Kadaresë është i ndërtuar rreth këtij simboli, rreth këtij kali (Përbindësh) që ndodhet disa hapa nga dera e Trojës: ndërkohë që këtu paralel me të është një furgon i braktisur diku në periferi të Tiranës. “”Përbindëshi” është një roman rreth terrorit politik, një roman ankthi, por edhe një roman i mistikës”, është shprehur kritika italiane.