Fratini, kundër marrëveshjes "Shengen"
Ministri italian i Punëve të Jashtme, Franko Fratini, kërkoi dje rishikimin e marrëveshjes "Shengen", pasi, sipas tij, problemi i Evropës nuk është më qarkullimi i lirë i njerëzve, por siguria. "Rishikimi i marrëveshjes është i nevojshëm për verifikimin e përputhjes mes kufijve të brendshëm dhe të jashtëm", theksoi ministri në një intervistë për gazetën "Il Messagero", ndërkohë që Kryeministri i ri italian, Silvio Berluskoni, po merr masa të reja kundër imigracionit të paligjshëm dhe në mënyrë të veçantë kundër imigrantëve rumunë. "Është i nevojshëm një inspektim i vazhdueshëm në kufijtë e jashtëm, si dhe inspektime të papritura të Komisionit Evropian. Nëse në marrëveshjen "Shengen 2" përfshihet marrja e shenjave të gishtave dhe një bazë të dhënash në vitin 2009, atëherë gjithçka do të ishte më e thjeshtë", tha ministri Fratini, ish-komisioner evropian i Drejtësisë. "Atyre që nuk bëjnë pjesë në zonën Shengen duhet t‘u merren shenjat e gishtave edhe nëse nuk janë evropianë", theksoi ai. Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Roberto Maroni, ka deklaruar se ai do të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të luftuar gjendjen emergjente të sigurisë së vendit. Roberto Maroni, që i përket Ligës së Veriut, një formacion ky anti-emigracion, ka premtuar se do të rrisë mbështetjen për policinë italiane dhe shërbimet e sigurisë. Ai tha se masa të vendosura nevojiten për të rikthyer besimin te policia dhe për të evituar që vetë njerëzit të tentojnë të zgjidhin problemet, me mënyrat e tyre. Më herët, këtë javë, në Napoli iu vu zjarri një kampi romësh, duke i detyruar ata të largohen. Shpërthimi i dhunës pasoi lajmet, sipas të cilave, një vajzë rome kishte tentuar të rrëmbente një foshnje italiane. "Është koha për të ndërhyrë me forcë në mënyrë që të parandalojmë zemërimin të dominojë...si edhe të evitojmë episode dhune të pajustifikuara si ai që pamë në Napoli", tha Maroni. Ministri shtoi se vendi ka nevojë për një përgjigje të menjëhershme dhe efikase të të gjitha forcave politike, duhet që ato të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet me të cilat ndeshet komuniteti. Ndërkohë, qeveria po merr në konsideratë zëvendësimin e patrullimeve me vetëm një polic dhe zëvendësimin e tyre me ekipe zyrtarësh të sigurisë, përfshirë edhe ushtarët. Këto ekipe, sipas mediave italiane, do të patrullonin nëpër rrugë dhe do të garantonin kështu siguri më të madhe. Komentet e të dy ministrave vijnë vetëm një ditë pasi autoritetet italiane lajmëruan se kishin arrestuar rreth 400 emigrantë të paligjshëm gjatë një serie blicesh të kryera gjatë një jave në rajone të ndryshme të vendit. Aksioni i policisë u përqendrua në Romë, por edhe në Napoli dhe qytete të tjera italiane. Kampet e romëve në Romë dhe në Napoli u morën në shënjestër, ndërsa emigrantë nga Rumania, por edhe nga Shqipëria, Greqia, Kina dhe Maroku, u arrestuan. Lëvizja është një shenjë e dukshme e ndryshimit të politikave, çka u premtua nga qeveria e djathtë e Silvio Berluskonit. Të enjten, Maroni, u detyrua ndërkohë të siguronte homologun e tij rumun, se Italia nuk po diskriminonte emigrantët rumunë. "Nuk ka asnjë problem me komunitetin rumun", tha ai, duke shtuar se qeveria do të fokusohej vetëm tek ata që kryenin krime, pavarësisht shtetësisë së tyre.