Rama dorëzohet para projekteve për zhvillimin e Tiranës

Unaza e Madhe, sheshi “Skënderbej”, rrjeti i unazave të brendshme, krijimi i një qyteti policentrik, formësimi i komuniteteve dhe kristalizimi i shpirtit tiranas të shekullit XXI janë sfidat që po i japin Edi Ramës pamjen e një anadollaku e të një impotenti politik. Zgjidhja e këtyre problemeve po vjen përmes projektesh qeveritare, të cilat detyrimisht po sjellin edhe dorëzimin e kryebashkiakut që s’ka asnjë lidhje me politikën
Unaza e Madhe, sheshi “Skënderbej”, rrjeti i unazave të brendshme, krijimi i një qyteti policentrik, formësimi i komuniteteve dhe kristalizimi i shpirtit tiranas të shekullit XXI janë një sërë sfidash të cilat po i japin Edi Ramës pamjen e një anadollaku, të një impotenti politik, i cili është kapur me thonj pas një detyre, të cilën s’ka më asnjë mundësi ta kryejë. Një tërësi improvizimesh të bashkisë së Tiranës, të cilat vetëm kanë sjellë lëngimin e mëtejshëm të disa plagëve të rënda të kryeqytetit si trafiku, rëndimi i situatës së të pastrehëve, ndërtimi i veprave me karakter social apo edhe gjendja e sigurisë në zona të ndryshme kanë ardhur pas dorëzimit të Edvinit dhe dorëheqjes nga qëndrimi në krye të punëve të Tiranës. Nuk mundet më plaku Mere i bashkisë së Tiranës që të menazhojë vetëm 5 kilometrat që duhen ndërtuar brenda kryeqytetit të Unazës së Madhe, nuk mundet të japë shpjegime për numrin zero të banorëve që kanë marrë strehim me fondet e bashkisë së Tiranës... Plaku Mere tani s’po mundet dot as të pranojë ofertën e qeverisë qendrore për ndërtimin e një masterplani për rregullimin e Sheshit “Skënderbej”. Ai s’kthen dot më përgjigje, sepse duket se s’po përballon dot as presionet e klientëve okultë të bashkisë, të cilët po kuptojnë se pensionisti në krye të kryeqytetit s’po garanton dot më asnjë marrëveshje e se përbindëshat prej betoni nuk do të lejohen të ngrihen para syve të kryeqytetasve dhe pa lëvizur askush gishtin.
Tani nuk është më momenti që përmes një propagande të imponohen aksione që shëmtojnë qendrën e Tiranës, rëndojnë problemet e saj dhe nuk merret përsipër kryerja e asnjë pune. Projektet e Unazës së Madhe, sistemi i unazave të brendshme të qarkullimit, rikonstruktimi i sheshit “Skënderbej” si dhe projekte të tjera të zhvillimit të cilat tashmë po synojnë shndërrimin e rrethinave të kryeqytetit në qendra të reja urbane, të cilat do të krijojnë një hapësirë policentrike shënojnë edhe daljen në pension të kryebashkiakut të fundit parapolitik të bashkisë së kryeqytetit. Tashmë ka ardhur koha që të mbyllet epoka e korrupsionit dhe e mashtrimit, e papërgjegjësisë dhe e dëmeve të pariparueshme që po na shkaktohen të gjithëve. Projektet zhvillimore kanë konfirmuar dorëzimin, reshtjen dhe pritjen e daljes nga skena të kryebashkiakut parapolitik dhe ky paradorëzim s’është veçse i mirëpritur. Por para dorëzimit, duhet që së pari të reshtin shkatërrimet në sheshin qendror të shqiptarëve, derisa një masterprojekt që respekton institucionet e kulturës dhe nevojat e tiranasve të vihet në zbatim për të mirën e përbashkët.