E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokurori i Përgjithshëm në konflikt me vartësit për përgjimet

Ndonëse ligji për përgjimet ia jep me të djathtën kompetencat, Ligji për “Policinë e Shtetit” ia merr me të majtën kryeprokurores, duke e kthyer atë në një pozicion "kukull". Pranimi i variantit të propozuar në ligjin për Policinë e Shtetit ia heq të drejtën ekskluzive kryeprokurores për të miratuar lejet për përgjim, duke ua shpërndarë atë vartësve të saj. Neni 116 i këtij ligji thotë se “punonjësi i policisë me gradën ‘Drejtues’ ose më lart, sipas juridiksionit lëndor, i bën kërkesë prokurorit për përgjimet”. Sipas anëtarëve të Komisionit hetimor, një gjë e tillë sjell paqartësi të mëdha, pasi veç Prokurorive vendore, janë edhe dy shkallë të tjera, si ajo e Apelit dhe Prokuroria e Përgjithshme. Prokuroria me kompetenca lëndore është vetëm Prokuroria për Krimet e Rënda, dhe sipas këtij ligji, i bie që punonjësi i policisë me gradën “Drejtues” t’ia bëjë kësaj prokurorie kërkesën për përgjim. Nga ana tjetër, projektligji i propozuar nga qeveria synonte forcimin dhe ekskluzivitetin e përgjimeve nga ana e prokurorit të Përgjithshëm. Në mbledhjen e fundit të Komisionit Hetimor Parlamentar për Përgjimet, anëtarët e këtij komisioni, pasi kanë analizuar dhe krahasuar projektligjin e qeverisë me ligjin aktual të Policisë së Shtetit, kanë vendosur që të kërkojnë rishikimin e projektligjit të propozuar nga qeveria “Berisha”. Sipas tyre, këto kundërshti e bëjnë të pamundur zbatimin e këtij ligji. Kjo pasi në ligjin për përgjimin e telekomunikimeve, kërkesa për përgjim i atribuohej vetëm ministrit të Brendshëm, ndërkohë që ligji i Policisë së Shtetit ua njeh këtë të drejtë edhe shumë funksionarëve që kanë gradën “Drejtues” në Polici. Gjithashtu, i paarsyeshëm është konsideruar edhe shtesa e propozuar nga qeveria në nenin 17 për situatat emergjente, e cila ndërhyn në kompetencat e drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Për të gjitha këto, anëtarët e komisionit kanë dalë në konkluzionin për domosdoshmërinë e rishikimit të ligjit për telekomunikimeve dhe për ndryshime thelbësore të tij.

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›