E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini sot në Tiranë, marrëveshje për vizat dhe njohjen e patentave

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini, me ftesë të homologut, Lulzim Basha, do të vizitojë sot Tiranën zyrtare. Axhenda e Fratinit pritet të jetë tepër e ngjeshur në vizitën e tij njëditore në Tiranë, ku qendra e vizitës pritet të jetë nënshkrimi i disa marrëveshjeve dypalëshe. Mes ministrit Lulzim Basha dhe Fratinit, pritet të nënshkruhen disa marrëveshje, si çështja e vizave apo më e veçanta do të jetë ajo e njohjes reciproke të lejeve për drejtuesit e automjeteve. Basha dhe Fratini pritet të diskutojnë gjerësisht në lidhje me ecurinë e bashkëpunimit dypalësh dhe rritjen e mëtejshme të tyre, perspektivën e anëtarësimit të afërt të Shqipërisë në NATO, procesin e integrimit në BE të Shqipërisë, si dhe zhvillimet në rajon, do të jenë disa nga temat më të prekshme të diskutimeve. Ministri italian, Fratini, do të jetë i ftuar nderi në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë, ku pritet të mbajë një fjalim me temë: “Italia dhe Evropa Juglindore: së bashku drejt integrimit në Bashkimin Evropian”. Ministria e Punëve të Jashtme në Shqipëri e ka cilësuar vizitën e numrit një të diplomacisë italiane si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, ku qëllimi i vetëm do të jetë rritja dhe intensifikimi i marrëdhënieve tradicionale të të dyja vendeve. Axhenda e vizitës njëditore në Tiranë e ministrit të Jashtëm italian pritet të jetë e ngarkuar. Kjo është vizita e dytë zyrtare brenda këtij viti e Fratinit në Tiranë. Njëkohësisht ai e ka vizituar Shqipërinë në muajin mars në cilësinë e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, me mision hapjen e dialogut zyrtar BE-Shqipëri për regjimin e udhëtimit pa viza. Ai pritet të mbërrijë në Shqipëri në orën 9 të paradites, ku më pas do të takohet me homologun e tij, Basha. Një takim i përbashkët, nënshkrimi i marrëveshje dypalëshe, fjala në Konferencën e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë, si dhe një konferencë shqyti, pritet të jetë axhenda e paradites së ministrit italian. Më pas, Fratini pritet të takohet me krerët e shtetit. Ai ka të programuar një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, me Kryeministrin Sali Berisha dhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Fratini pritet të takohet edhe me stafin e Ambasadës Italiane në Tiranë, si dhe me përfaqësues të biznesit dhe komunitetit italian që ndodhet në Tiranë. Rreth orës 17 të pasdites pritet që ministri i Jashtëm italian të lërë Tiranën.

Rimblidhet Konferenca e Ambasadorëve të Shqipërisë

Ditën e sotme pritet të nisë punimet Konferenca e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë për vitin 2008, e cila do të vazhdojë për rreth 4 ditë. Kjo konferencë, e cila organizohet nga Ministria e Jashtme, do të mbledhë të 48 ambasadorët dhe kryetarët e misioneve diplomatike të Shqipërisë të akredituar në botë. Gjatë punimeve të kësaj konference do të trajtohen temat kryesore të aktualitetit ndërkombëtar dhe çështjet më kardinale që i përkasin diplomacisë shqiptare. Konferenca do të përshëndetet të hënën nga i ftuari i nderit, ministri i Jashtëm i Republikës Italiane, Franco Fratini. Gjatë ditës së sotme, konferenca pritet të përshëndetet nga Kryeministri Berisha dhe ministri Lulzim Basha. Në këtë konferencë do të marrin pjesë dhe personalitete dhe funksionarë të lartë të diplomacisë botërore, si zv.ndihmës-sekretar i Shtetit për Evropën Juglindore në Departamentin amerikan të Shtetit, z. Stuart Jones, zv.ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Marcus Lyra, drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, z. Janusz Bugajski dhe Presidenti i Fondacionit “Schuman”, Jean-Dominique Giuliani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›