E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi i ri, të vegjlit kërkojnë “dushk”

Sistemi i ri zgjedhor, me koalicionin e përbërë, i ka detyruar partitë e vogla që të nxjerrin “muskuj” e tyre reale për të mbijetuar politikisht. Pavarësisht se ekzistenca e koalicionit të përbërë detyron çdo subjekt politik që të konkurrojë me siglën e tij, për të hyrë në Kuvend, një gjë e tillë duket se do të anashkalohet nga partitë e vogla, për shkak se mbështetja e tyre në terren nuk u garanton asgjë. Mes ambienteve dhe selive të shtrenjta të partive të vogla në qendër të Tiranës, po diskutohet një strategji e re për të hyrë në Kuvend. Kjo strategji e re nuk është veçse një “dushku” të ri, por kësaj here krejtësisht ligjor. Duket se mjaft parti të vogla parlamentare janë gati të heqin dorë nga sigla e tyre, pra nuk do të garojnë fare, me qëllim që të fitojnë një vend deputeti në listat e partive të mëdha.

Strategjia

Strategjia e partive të vogla është e thjeshtë. Ato pritet të bëjnë presion pranë partive të mëdha me sistemin e ri. Mund të duket paradoksal që partitë e vogla të bëjnë presion me anë të sistemit të ri elektoral, pikërisht ky sistem i cili nuk i favorizon për të hyrë në Kuvend. Sistemi i ri elektoral garanton fitoren në rast se vota qëndron unike, mundësisht një sigël e vetme, dhe një gjë e tillë do të shfrytëzohet nga partitë e vogla. “Më siguro një vend të vetëm në listën tënde dhe unë në të 12 rajonet e vendit do të punojë për siglën tënde”. Ky pritet të jetë presioni konkret. Por për ta bërë më efikase këtë bashkëpunim, partitë e vogla kanë artikuluar diçka më konkrete. “Në rajonin e Vlorës, i cili pritet të ketë 14 deputetë, partia jonë ka marrë 1.5 për qind. Ne do t’i kërkojmë aleatit tonë të madh që në listën e 7 të parëve, të jetë me patjetër një anëtar i yni, dhe për ta bërë më efikase betejën elektorale, të na sigurojë edhe një vend larg 50-përqindëshit, në mënyrë që të punohet më shumë”, - u shpreh një kryetar i një partie të vogël për gazetën, i cili kërkoi të mbetet anonim. Ndërkohë mes partive të vogla janë rritur kontaktet për ribashkim. Njëkohësisht edhe mjaft parti të ndara në fraksione kanë kërkuar të ribashkohen. Kështu vetëm pak ditë më parë, janë parë së bashku kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, me Ligoraq Karamelon, i cili është shkëputur nga kjo parti dhe drejton një formacion më vete. Kontaktet janë rritur edhe nga partitë e tjera të fragmentizuara.

Ceka, divorc përfundimtar me Ramën

Partia Aleanca Demokratike bën divorcin përfundimtar me PS-në, duke lënë të hapur bashkëpunimin me koalicionin e Metës, por edhe me forca të tjera politike. Partia që është pozicionuar vitet e fundit në koalicion me PS ka sqaruar tashmë pozicionin e saj. Përfaqësues të saj deklaruan se e shohin veten larg politikës së Edi Ramës. Deklaratat lidhur me zgjedhjet 2009 u dhanë një ditë pas mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të kësaj partie, nëpërmjet një prej zërave më të fuqishëm të këtij subjekti, Arben Demeti. Nënkryetari i PAD-së, Demeti, u shpreh se synimi i PAD-së është që në zgjedhje të prezantohet si një parti parlamentare. Por ai shtoi se “ne shohim si alternativën e parë dhe të arsyeshme polin e tretë, me të cilët tashmë është konsoliduar një bashkëpunim opozitar, siç janë LSI, PDA, PS’91, por edhe parti të tjera”. “Në funksion të qëllimit të saj si parti parlamentare e lë të hapur bashkëpunimin brenda kornizave të moralit politik me të gjitha partitë e tjera”, - shtoi Demeti. Duke shprehur keqardhje për drejtimin e PS-së nga lidershipi i kësaj partie, Edi Rama, Demeti përjashtoi një bashkëpunim të ardhshëm të PS-PAD. “Shpreh keqardhjen e sinqertë, e përsëris të sinqertë për çfarë ka ndodhur me PS. Na vjen shumë keq që PS ka pësuar këtë transformim për shkak të lidershipit të saj, Edi Rama. Lidershipi s’ka asnjë lidhje as shpirtërore, ideologjike, morale për atë që çfarë përfaqëson PS”, - u shpreh Demeti, duke shkuar edhe më tej. Ai këshilloi elektoratin se vota për lidershipin e PS-së, është votë e hedhur dëm. “Ndaj kjo votë duhet shmangur dhe të votohet për PAD”, - këshilloi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›