E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, skema si do shmangen deputetët nga rizgjedhja

Pak muaj më parë, kryetari i PS-së, Edi Rama, preu shpresat për deputetët aktualë dhe drejtuesit e PS-së se në zgjedhjet e 2009-s do të jenë në krye të listave. Me afrimin e periudhës paraelektorale, ku në tryeza e zyra të PS-së qarkullon më shumë se kurrë çështja e kandidaturave, deklarimi i bërë pak muaj më parë në një mbledhje të Asamblesë Kombëtare ka nisur të marrë jetë. Burime nga PS thanë për “standard” se ato figura të PS-së, anëtarë të kryesisë, sekretarë, apo deputetë të PS-së, qofshin këta të preferuar ose jo nga Rama, do jenë pjesë e listës, por e thënë me ide më të qartë, emrat e tyre do të vendosen kryesisht pas numrit katër ose pesë të listës së kandidatëve për deputetë. Burimet thanë se katër ose pesë të parët që sipas gjasave kanë më shumë mundësi të fitojnë, do jenë njerëzit më të besuar të kryetarit socialist, si dhe figura të spikatura të qarqeve. Pjesa tjetër, edhe pse deputetë prej shumë legjislaturash, do përbëjnë gjysmën e dytë të listës. Pavarësisht surprizave që mund të sjellin zgjedhjet dhe rezultati, dhe sipas llogarive, të paktën ata që kryesojnë listën në qarqe do të kenë mundësi të zgjidhen. Pjesa tjetër mbetet në pikëpyetje. Zgjedhjet e 2009-s janë një shans i mirë për kryetarin socialist, që më në fund të drejtojë partinë dhe të bëjë opozitë, apo edhe të qeverisë me stafin e përzgjedhur prej tij. Prej tre vjetësh që drejton këtë parti i është dashur që të punojë me të përzgjedhurit e ish-kryetari socialist, me të cilin Rama nuk ka marrëdhënie të mira. Si e tillë, në 2009, kryesocialisti ka mundësinë më të mirë që të “spastrojë” partinë nga të padëshiruarit që kanë mbetur dhe të punojë me ata që e besojnë politikën e tij. Por përjashtimi i hapur nga e drejta e kandidimit do sjellë shumë probleme e përplasje brenda partisë. Si e tillë, përveç atyre që e kanë vulosur tashmë moskandidimin, pjesën tjetër, Rama ka zgjedhur t’i kandidojë, por duke mos u dhënë ndonjë përparësi në listat për kandidatë për deputetë. Pak muaj më parë, në një mbledhje të Asamblesë Kombëtare i pyetur nga anëtarët e kësaj strukture për përzgjedhjen e kandidatëve, Rama dha një mesazh të qartë. “Në krye të listave do të jenë figura të spikatura të qarqeve”, - u shpreh kryetari socialist duke dhënë një mesazh të qartë për deputetët socialistë, se mundësia e rikandidimit ishte e vështirë. Nga ana tjetër, Rama ka mohuar çdo vërtetësi të listave paraprake që janë publikuar në media, kjo për të shmangur zhurmën brenda partisë, duke premtuar se ajo do të publikohet pak ditë para se të fillojë fushata zyrtare për zgjedhjet. Në këtë kohë, ata që mbeten jashtë listës nuk kanë mundësi të kundërshtojnë, sepse nëse ndodh kjo, Rama ka një alibi të fortë, atë që kundërshtimet vijnë për interesa personale të atyre që mbeten jashtë. Ata deputetë që të ardhmen politike e kanë të përkufizuar me një ndoshta, Rama duket se ka vendosur t’iu japë një shans, por duke i renditur në fund të listave për kandidatë.

PS: Bordet qytetare, autonomi nga partia

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka marrë pjesë në krijimin e bordit të qytetarëve në qytetin e Vlorës. Në një njoftim për shtyp të PS-së thuhet se bordet qytetare janë struktura autonome në Partinë Socialiste, të cilat përbëjnë një risi në jetën e partive politike, pasi përbëhen nga qytetarë joanëtar partie. Duket se ky ka qenë një sqarim ndaj shkrimeve në media se bordet qytetare po dublojnë punën e degëve të kësaj partie në rrethe. Më parë, Rama ka marrë pjesë në konstituimin e bordeve qytetare në Fier, Shkodër etj. Duke e konsideruar “Bordin e Dialogut me Shoqërinë”, si një urë lidhëse mes partisë dhe njerëzve, Rama ka nënvizuar nevojën e afrimit të Shqipërisë reale me Shqipërinë në letër, të cilat kanë një ndryshim dhe hendek të madh me njëra-tjetrën. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka nënvizuar se ngritja e këtyre bordeve me qytetarë në mbarë vendin do të bëjnë të mundur sjelljen ndryshe të qeverisë në raport me qytetarët pas fitores së sigurt të PS në 2009. ““Bordi i Dialogut me Shoqërinë” kërkon dhe synon që të ndërtojë këtë urë dhe ju të jeni ura ku shkojnë dhe vijnë mendimet, ku shkojnë e vijnë opinionet, ku shkojnë e vijnë idetë dhe ku shkojnë dhe vijnë energjitë, që na duhen për t’i marrë, por edhe për t’i ekzekutuar vendimet, në mënyrë që Shqipëria reale të jetë shprehje e Shqipërisë në letër”, - tha kryetari PS-së në këtë takim. Sipas Ramës, një proces politik, i cili zhvillohet në konflikt, zhvillohet me të shara, zhvillohet me akuza, zhvillohet me fyerje, zhvillohet me të gjithë arsenalin joetik të komunikimit mes njerëzve, nuk mund të prodhojë një pushtet etik, as të efektshëm.

Dade: BE, e shqetësuar për reformën në drejtësi

Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS, Arta Dade, ka shprehur mbështetjen e saj ndaj shqetësimeve të EURALIUS, për pavarësinë e gjyqësorit, çka sipas saj, janë tregues të shqetësimit të BE-së. “Takimi i djeshëm i të gjithë aktorëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sferën e drejtësisë, përfaqësuesit e nderuar dhe të respektuar të shoqatave të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, vërtetoi katërcipërisht shqetësimin e PSSH-së se kjo mazhorancë ka ndërhyrë brutalisht në pavarësinë e institucioneve të njohura nga kushtetuta si të pavarura”, - tha ajo. Sipas saj, nesër në qeverisje mazhoranca socialiste do të zbatojë këtë reformë sipas parametrave dhe filozofisë në një shoqëri realisht demokratike, duke u bazuar edhe në kontributet e vyera në radhë të parë të të gjithë aktorëve, specialistëve, ekspertëve dhe grupeve të interesit të këtij sistemi, si edhe ndihmesën e vyer të partnerëve tanë euroatlantikë, që ka qenë përherë e pranishme.

Meta: LSI, e hapur për integrimin e grave dhe vajzave

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi gjatë konventës së gruas në Burrel se partia që ai drejton është e hapur për integrimin e grave dhe vajzave. Meta u shpreh se është i domosdoshëm një revolucion social, që duhet të ndërmerret në të gjithë Shqipërinë, për përmirësimin e pozitës sociale të vajzës, gruas dhe të nënës shqiptare, jo me fjalë, por me vepra, jo thjesht me kuota, por me bindje, se vetëm në këtë mënyrë shoqëria jonë mund të jetë vërtet një shoqëri me të ardhme, një shoqëri e barabartë, një shoqëri humane, një shoqëri, e cila në themel të saj ka solidaritetin që fillon nga familja dhe që rrezaton në të gjithë shoqërinë tonë, Në këtë drejtim Meta theksoi se beson se LSI është forca, jo vetëm më e hapur, por është dhe forca që po tregon çdo ditë, jo vetëm këtu në Mat, apo në Dibër, por në radhë të parë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, se do të jetë në krye të këtij revolucioni social që përmirëson rolin e vajzës, të gruas dhe të nënës shqiptare në shoqërinë tonë. Por, ky nuk është një rol, që ka të bëjë thjesht me numrin e grave në Parlament, - tha Meta, - por padyshim që pjesëmarrja e sotme e gruas në parlament është një tregues, një aspekt i diskriminimit të thellë që përjeton vajza, gruaja dhe nëna shqiptare sot në shoqërinë tonë, për fat të keq, në përgjithësi, edhe në familjen tonë, por problemet janë shumë më të thella, janë shumë më jetike dhe të përditshme për shumicën e grave dhe nënave tona.

Integrimi në NATO, LSI përshëndet SHBA-në

LSI përshëndeti dje nënshkrimin e Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush. Sipas kryetarit të KDK-së në LSI, Edmond Haxhinasto, aleati ynë i madh, SHBA, ka shprehur me këtë akt vlerësimin më të madh për Shqipërinë, kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin, përkushtimin ndaj përballimit të sfidës së madhe të kohës, luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar. “Një akt i tillë nga ana e SHBA-së kërkon reagimin me përgjegjshmëri nga ana e qeverisë aktuale për të realizuar detyrimet e premtimet ndaj SHBA dhe Aleancës së NATO-s për reforma, veçanërisht reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi”, - tha Haxhinasto. Ndër të tjera, kreu i KDK-së në LSI theksoi se shfrytëzimi e manipulimi politik i këtij momenti historik për të rritur imazhin e shkatërruar të kësaj mazhorance, duke përdorur demagogji në vend të veprimeve konkrete për reformat që kërkohen, do të jetë një përpjekje e dështuar dhe do të komprometojë këtë besim që aleatët tanë të mëdhenj i kanë dhënë Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›