E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Ilir Nezirit, dyshohet atentat hakmarrjeje (i Plotë)

Policia te vendi i vrasjes së Ilir Nezirit

Viktima ishte arrestuar për vrasje, me të birin, për drogë

Tiranë, 25 tetor 22:20 NOA (Update) – Viktima i mbrëmjes së sotme në lagjen “Kombinat” të Tiranës, besohet se është qëlluar nën motive hakmarrjeje, informojnë agjencinë e lajmeve NOA, burime paraprake të hetimit në vendngjarje.

Kurse burime zyrtare nga policia e Tiranës, konfirmuan pak çaste më parë për NOA-n, se atentator ishte një person i vetëm, i cili mbi një motoçikletë, iu afrua në verandën e një lokali viktimës duke e qëlluar me një plumb të vetëm pistolete (Shihni bashkëlidhur, foton e të ndjerit në vendgjarje Foto ekskluzive NOA).

Me shpejtësi, atentatori u largua duke u futur në rrugë të cilat i mundësuan zhdukjen nga sytë e dëshmitarëve.

Forca të shumta policore mbërritën në vendngjarje dhe drejtues policorë urdhëruan ngritjen e postblloqeve, informon gazetari i Kronikës së agjencisë së lajmeve NOA që ndoqi detajet mbi vrasjen.

Nga hetimet e para rezulton se krimi mund të jetë pasojë e një atentati të ardhur nën motive hakmarrjeje.

Zyrtarët e policisë konfirmuan se Ilir Neziri ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2005 nën dyshimet se ishte bashkëpunëtor në vrasjen e Petrit Drizës, një 30 vjeçar që humbi jetën në atentat me armë zjarri.

Autor i dyshuar i vrasjes së Drizës atëherë u cilësua nga policia, Altin Hoxha. Por për ngjarjen u arrestua edhe Ilir Neziri i cili u dyshua se kishte informuar autorin e vrasjes, mbi të gjitha lëvizjet e viktimës, 30-vjeçarit Petrit Driza, duke kryer disa telefonata me autorin, në momentet e para dhe mbasi është kryer krimi.

Uniformat blu arrestuan edhe Xhemal Avdillarin, me profesion taksist, pasi gjatë hetimeve rezultoi se ka ndihmuar autorin e krimit për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Viktima i mëparshëm Driza, ishte dënuar për tentativë vrasjeje dhe shfrytëzim prostitucioni. Ai ishte liruar një vit para se të vritej, në dhjetor 2005.

Atë e bir nën arrest për drogë

Më 14 korrik 2004, Zyra Rajonale e Luftës Kundër Drogës në Tiranë, arrestoi në mesnatë, 44-vjeçarin Ilir Halil Neziri, dhe të birin, Altiont Ilir Neziri, 20 vjeç; si dhe Gjergji Stefan Kolovani, 34 vjeç, i dënuar një herë për trafik lëndësh narkotike.

Që të tre banues në Tiranë, ata u kapën duke shitur lëndë narkotike heroinë në 30 doza. Policia tha se nga kontrolli në banesën e Altion Nezirit, u bllokua një automatik, 373 fishekë dhe 9 granata luftarake mësymëse.

c.a/NOA

Shkarko attachment >> ilir_neziri_vrasja_BIG_viktima_foto_NOA8_650551155.jpg

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›