E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet për në banesën e fundit Bashkim Gazidede

Mijëra qytetarë, të afërm dhe kolegë i dhanë dje lamtumirën Bashkim Gazidedes. Në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, Gazidede u nderua nga krerët e shtetit, të afërmit dhe miqtë, të cilët përcollën në banesën e fundit një prej figurave më të spikatura të pasviteve ‘90 në Shqipëri. Trupi i të nderit ishte vendosur në korridorin kryesor të sallës së Kuvendit, atje ku Bashkim Gazidede nisi rrugëtimin e tij si deputetet i Kuvendit të Shqipërisë në mars të vitit 1992. Pranë trupit të tij qëndronin familjarët, të cilët shtrënguan duart me mijëra qytetarë, që u përkulën përpara trupit të të ndjerit. Në homazhe morën pjesë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deputetë, akademikë dhe shumë qytetarë të thjeshtë. Përpara Kuvendit, ku ishin mbledhur me qindra pjesëmarrës në homazhe, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj lexoi edhe fjalimin e rastit. Si eprori i tij, Alibeaj vlerësoi punën dhe kontributin e Bashkim Gazidedes. Alibeaj e cilësoi ish-deputetin në zgjedhjet e vitit 1992, ish-drejtorin e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe së fundi, nëndrejtorin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si një personalitet të rrallë që ka dhënë një kontribut të shquar për Shqipërinë demokratike, mbrojtjen e shtetit dhe lirive të qytetarëve, si dhe një intelektual për të cilin, kolegët, të afërmit dhe miqtë e tij, do t’ia ndjejnë mungesën. Më pas, Garda e Republikës mori në supe arkivolin me trupin e të ndjerit Gazidede dhe nisi rrugëtimin drejt banesës së fundit. Mijëra qytetarë, mes tyre Kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Topalli, shoqëruan nga pas kortezhin. Gjatë gjithë kohës, Banda Muzikore e Gardës së Republikës shoqëroi ceremoninë mortore. Në ceremoninë e rastit, Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, përcollën për mediat vlerësimet dhe mesazhet në nderim të figurës së Bashkim Gazidedes. “Me vdekjen e Bashkim Gazidedes, shteti shqiptar humbi një shërbëtor të përkushtuar dhe të ndershëm”, - u theksua ndër të tjera në këtë mesazh. Përpara mediave, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e 55-vjeçarit Gazidede, i cili humbi jetën e tij pak ditë më parë, pas një sëmundjeje të rëndë. “Ai ndahet nga jeta duke lënë kujtimin e një intelektuali të shquar, e një shërbëtori të madh të kombit të tij, e simbolit të një njeriu të ndershëm, e një promotori të vërtetë të proceseve demokratike në Shqipëri. Familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët, studentët e tij dhe kolegët e universitetit, kolegët e shërbimit, të gjithë ruajnë do të ruajnë për të nderin e madh që ai iu la me veprën e tij”, - u shpreh Kryeministri Berisha.

Kush ishte Bashkim Gazidede

Bashkim Gazidede lindi më 2 shkurt 1952, në Dibër. Studimet parauniversitare i kreu në rrethin e Peshkopisë, ndërsa ato universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Dega Matematikë, me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1984 emërohet pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Bashkim Gazidede ishte një ndër intelektualët e parë shqiptarë që u angazhuan që në ditët e para në lëvizjen demokratike dhe dha një kontribut të vyer në përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri. Në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, Gazidede zgjidhet deputet i Dibrës në Parlamentin shqiptar. Në vitin 1992 deri në vitin 1997, merr detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe në vitet 2005-2008, nëndrejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Bashkim Gazidede njihet edhe si studiues dhe autor i disa librave shkencorë në fushën e matematikës.

Berisha: Gazidede, pjesë e plejadës që shembi “Murin e Berlinit” në Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha bëri dje homazhe në nderim të figurës dhe personalitetit Bashkim Gazidede. Berisha e vlerësoi kontributin e Bashkim Gazidedes si tepër të vyer. “Bashkim Gazidede i përket asaj plejade të intelektualëve shqiptarë, të cilët në vitet ’90 me guxim dhe kurajë të pashoqe shembën “murin e Berlinit” dhe themeluan në Shqipëri pluralizmin politik, njeri i një performance të shkëlqyer gjatë jetës së tij. Pas zgjedhjes deputet në këtë Parlament, me votën e qytetarëve të Dibrës, ai mori përsipër ndërtimin e shërbimeve inteligjente shqiptare, zëvendësimin e shërbimeve të diktaturës me shërbime të një sistemi demokratik. Ai mblodhi rreth vetes forca, individë e elementë ndër më të përkushtuarit. Bashkim Gazidede dha një kontribut historik të shkëlqyer në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Ndershmëria dhe përkushtimi i ekipit që ai drejtoi bëri që Shqipëria, në fillim të viteve ’90, të qëndrojë së bashku me aleatët e partnerët tanë me dinjitet të madh në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Ai qëndroi vendosmërisht në mbrojtje të shtetit, Kushtetutës dhe të interesit kombëtar në momente tragjike të rebelimit komunist të vitit 1997. Zoti Gazidede dha kontribut të shquar në reformimin e sistemit të regjistrimit të pasurive dhe të hipotekave të vendit”, - deklaroi Kryeministri Berisha.

Topalli: Gazidede, një ndër figurat më lapidare që i shërbeu vendit të tij

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shprehu dje një vlerësim ndaj figurës së Bashkim Gazidedes. Ajo e vlerësoi kontributin e Gazidedes, të cilin e cilësoi si një patriot që i shërbeu vendit në momentet më të vështira. "Bashkim Gazidede ishte një ndër deputetët e parë që iu kundërvu regjimit të komunizmit, ishte një ndër njerëzit më të ndershëm, modeli i njeriut me korrektësi dhe integritet. Një admirim të pashembullt kam pasur personalisht, kur ai në vitin ‘97 qëndroi në momentet më të vështira, kur rebelët kërkonin të shkatërronin dhe të digjnin Shqipërinë. Pjesëmarrja e madhe, prania e studentëve të tij, e bashkëpunëtorëve, ish-deputetëve të asaj kohe dhe deputetëve të sotëm, tregojnë respekt për figurën e tij, si një nga figurat më lapidare në integritetin dhe ndjenjën e patriotizmit, ndaj vendit të tij. Ishte njeriu që zëvendësoi Sigurimin e Shtetit në një shërbim në mbrojtje të vendit, të interesave të kombit tonë”, - deklaroi Topalli.

Politikanët e majtë nuk morën pjesë në homazhe

Mes mijëra pjesëmarrësv`e që morën pjesë në homazhet e Bashkim Gazidedes, munguan politikanët e majtë. Ndonëse Gazidede, një ish-deputet në Parlamentin pluralist, ai nuk u nderua nga deputetët e majtë. Gazidede ka qenë prej vitesh, ende sot, një i përndjekur nga akuzat e shumta të të majtëve, të cilët ende e akuzojnë atë për organizator të ngjarjeve të vitit 1997. Bashkim Gazidede, pavarësisht akuzave të ashpra të lëshuara prej vitesh nga politika e majtë, vlerësohet si një hero nga krahu tjetër, politika e djathtë, e cila e ngre kontributin e tij në piedestal. Rezistenca e tij në vitin 1997 vlerësohet nga politikanët e djathtë si një akt patriotik dhe të një shtetari të vërtetë, i cili nuk pranoi të lejonte shkatërrimin e institucioneve demokratike në vend. Pavarësisht largimit nga jeta, figura e Bashkim Gazidedes do të jetë një simbol i qendrës për të djathtët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›