Fratini, takim me vendet e klubit energjetik
Qeveria “Berluskoni” vazhdon avancimin e planeve të saj të diplomacisë “energjetike” që synojnë krijimin e një zone të përbashkët të transmetimit të naftës, gazit dhe energjisë elektrike, me anë të projekteve që drejtohen nga Italia. Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, ka mbledhur dje në “Villa Madama”, një rezidencë luksoze që ndodhet në “Monte Mario”, në Romë, shefat e diplomacive apo zëvendësit e një sërë vendeve që përfshihen në projektet e kalimit të korridoreve strategjike”.
“Ishte një rast më i madh takimi me ministrat që i përkasin “familjes popullore” dhe me shumë kolegë të vendeve europiane apo edhe shteteve që kanë shumë interes për Europën”, ka deklaruar shefi i diplomacisë italiane, Franko Fratini, i cili ka pritur në Villa Madama, në një seminar ministrat e Jashtëm të Partisë Popullore Europiane nga vendet të lindjes europiane që nuk janë anëtarë të Bashkimit Europian. “Ky është i pari nga një seri takimesh që do të përfshijnë edhe modele të tjera. Duam të nisim këtë diskutim me vendet e rëndësishme për sigurinë energjetike për raportet me Rusinë dhe për situatën në Kaukaz dhe në Ballkan”, ka vijuar Fratini, i cili aktualisht është koordinatori i ministrave të Jashtëm të Partisë Popullore Europiane. Në seminar, marrin pjesë për BE-në, përveç Fratinit, shefat e diplomacisë së Bullgarisë, Lituanisë dhe Maltës. Franca është përfaqësuar me ministrin për çështjen Europiane. Ndërmjet ministrave të Jashtëm të vendeve të tjera që nuk janë anëtarë të BE-së, ishin përfaqësuesit e Armenisë, Azerbajxhanit, Kroacisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Moldavisë, bashkë me zv/ministrat e Ukrainës dhe Gjeorgjisë dhe ministrja e Integrimit e Shqipërisë, Majlinda Bregu. Gjatë vizitës së fundit në Itali të Kryeministrit Berisha, i cili u takua me homologun e tij, Silvio Berluskoni, u fol për konkretizimin e projekteve të fushës energjetike në Shqipëri. Kryeministri Berisha ka përsëritur sërish nismën e qeverisë së tij për një ndërtim termocentralesh bërthamorë në vend të cilat do të ndërtohen nga kompani italiane. Gjatë një takimi të zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë, Kryeministri Berisha tha se “Në vizonin e qeverisë sime, në vitet që vijnë, Shqipëria do të jetë superfuqi energjetike rajonale. Shqipëria do të bëhet së shpejti një rrugë kalimi kryesore e gazit drejt Italisë dhe veriut të Europës Juglindore. Shqipëria është e hapur për ndërtimin e termocentraleve nukleare nga qymyri”.