Topallit i dhurojnë medalje të artë në Egjipt
Kryeparlamentari i Egjiptit, Fathy Souror, i ka dhënë homologes së tij shqiptare Jozefina Topalli, dy dhurata: një medalje të artë dhe premtim se Kajroja do ta njohë Kosovën. Topalli po zhvillon një vizitë dyditore në Egjipt, ku po merr pjesë në një konferencë rajonale të nismës së Unionit të Mesdheut për integrimin e grave në politikë. Gjatë kësaj vizite, Topalli ka takuar edhe zonjën e parë të Egjiptit, bashkëshorten e Presidentit Mubarak, Suzanne Mubarak. Siç njofton zyra e shtypit e Kuvendit, Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit të Egjiptit, i pranishëm në takim, siguroi zonjën Jozefina Topalli se ky komision do t’i rekomandojë qeverisë së Egjiptit njohjen e shtetit të Kosovës, pasi edhe opinioni publik është në favor.
Në nderim të vizitës së zonjës Jozefina Topalli, Kryetari i Parlamentit kishte përgatitur posaçërisht për të një medalje të artë, ku ishte gdhendur emri i saj, gjë që sipas tij do t’ia bënte Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë të paharrueshme vizitën e saj të parë në Egjipt. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ishte e ftuara speciale e Zonjës së Parë të Egjiptit, Suzanne Mubarak, nën kujdesin e të cilës u zhvillua Konferenca Rajonale “Gratë parlamentare si faktor aktiv për zhvillimin”.
#