E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE fut në axhendë Malin e Zi harron Shqipërinë

Nesër mblidhet Këshilli i Punëve të Jashtme, pritet deklaratë për negociatat

Bashkimi Europian, në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Punëve të Jashtme që drejtohet nga Baronesha Chatherine Ashton pritet të lëshojë një deklaratë mbi negociatat e drejtuara nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për të arritur një marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Pas kërcënimit të dhënë nga Prishtina, ku Baronesha Ashton deklaroi qartë se Shqipërisë i rrezikohet integrimi në BE, Brukseli zyrtar pritet të konkretizojë më seriozisht qëndrimin e tij politik. Ndërkaq, në mbledhjen e nesërme do të mbahet një takim i veçantë për negociatat e Bashkimit Europian me Malin e Zi, i cili ashtu si edhe Shqipëria ka dorëzuar aplikimin për statusin e vendit kandidat madje ka përfunduar edhe plotësimin e pyetësorit. Pikërisht kjo pikë tregon një sinjal të qartë se deklarata e BE-së po vihen në jetë, duke vonuar edhe më shumë stadin e Shqipërisë, duke avancuar një nga fqinjët tanë siç është Mali i Zi. Sipas programit të botuar nga Presidenca spanjolle e Bashkimit Europian, nesër në Bruksel mblidhet Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së, takim që fillon në orën 09.00 të mëngjesit. Ky takim bëhet në të njëjtën kohë kur në Tiranë fillon misioni diplomatik i delegacionit të zgjeruar të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i cili do të bëjë përpjekjen e fundit për të arritur një marrëveshje mes Berishës dhe Ramës. Burime diplomatike i thanë “Shqip” se sipas të gjitha gjasave nga Brukseli do të dalë një deklaratë politike për negociatat në Tiranë ku do t’u kërkohet dy krerëve kryesorë të politikës, por veçanërisht qeverisë që të arrijnë në një marrëveshje që do të zhbllokojë krizën politike. Ndërkaq, në axhendën e mbledhjes së sotme, theksohet se Këshilli i Punëve të Jashtme, i cili do të drejtohet nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Chatherine Ashton, pritet të diskutojë në mënyrë të veçantë për Haitin, Iranin dhe Ukrainën. Pritet që të adaptohen konkluzione për këto çështje. Në vazhdimësi, do të ketë përfundime për Republikën e Moldavisë dhe Zimbabvesë. Në kuadrin e Këshillit janë parashikuar takimet për bashkëpunimin mes BE-së dhe Kirgistanit, si dhe dialogu minesterial mes Bashkimit Europian dhe Malit të Zi.

Krerët e Bashkimit Europian, si dhe diplomatët e tyre në Tiranë e kanë përsëritur më se një herë se nëse nuk do të zgjidhet kriza politike në Shqipëri mes Berishës dhe Ramës, rrezikon seriozisht integrimi i vendit tonë në BE. Në këtë kuadër, siç e ka detajuar edhe ambasadori i Spanjës, Manuel Montobio, mund të vonohet liberalizimi i vizave për shqiptarët, për të cilat qeveria ka premtuar se do të ndodhë brenda këtij viti, por edhe çështja e statusit kandidat. Komisioni Europian po përpunon opinionin për Shqipërinë dhe në muajin e ardhshëm ky dokument do të përfundojë për t’u bërë publik më 11 maj kur në Bruksel do të mbahet këshilli i asocimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Nëse ky opinion nuk do të jetë pozitiv, atëherë edhe Këshilli i Ministrave të BE-së do të marrë në konsideratë dokumentin e kabinetit të Barrozos, ndaj do ta shtyjë shqyrtimin e vendimit për Shqipërinë. Me këtë vendim, Shqipëria mund të vendoset me të njëjtën axhendë me Bosnjë-Hercegovinën, vend i cili ende nuk ka firmosur as Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, pasi ndodhet ende në protektoratin ndërkombëtar. Futemi në një axhendë me Bosnjën, pasi Kroacia ndodhet fare afër pranimit në BE, Maqedonia pritet që pas kalimit të ngërçit me Greqinë për çështjen e emrit të avancojë me negociatat, pasi statusin e vendit kandidat e ka fituar prej kohësh. Ndërkaq, Mali i Zi edhe Serbia po ecin shumë shpejt, edhe pse kanë nisur procesin shumë më vonë se ne.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›