Frattini, në interpelancë për Shqipërinë
Protestat e opozitës nisin ta reflektojnë jehonën e tyre edhe në vendin fqinj, Itali. Një nga deputetët e njohur të opozitës italiane, përkatësisht Dario Ginefra, ka akuzuar qeverinë e Berluskonit se është e vetmja kancelari perëndimore që mbështet Berishën. Në ditët e ardhshme, ministri i Jashtëm, Franco Frattini, do të thirret në interpelancë parlamentare në lidhje me situatën në Shqipëri. Me anë të një shkrimi të botuar dje në portalin “Barilive.it”, theksohet se i nderuari Dario Ginefra shprehet i shqetësuar për heshtjen me të cilën po përcillet nga qeveria italiane situata në Tiranë. “Në Shqipëri ka 9 muaj që ka një qeveri ilegjitime, opozita nuk hyn në Parlament dhe prej 17 ditësh 222 persona kanë hyrë në një grevë urie për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të kaluara. Në këtë situatë delikate, qeveria italiane është vendi i vetëm në Europë që njeh legjitimitetin e qeverisë ‘Berisha’”. Ndërkaq, në lidhje me prezencën e ministrit për çështjet e rajoneve, Raffaelo Fitto, në Shqipëri më 19 maj, deputeti i Partisë Demokratike italiane thekson se “më duket jo shumë e qëlluar që të vazhdohet të legjitimohet qeveria ‘Berisha’ pa u dhënë një qartësi mbi objektin e protestës së opozitës. Në ditët e kaluara, militantë të PS-së u arrestuan vetëm sepse kanë manifestuar në mënyrë të lirë. Ndër të arrestuarit ka qenë edhe presidenti lokal i industrialistëve, që normal nuk është një person i dhunshëm. Në Shqipëri, të drejtat themelore të njeriut po shkelen nga qeveria”.
#