E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jam i vendosur për shtet ligjor

Kryeministri Sali Berisha ashpërson qëndrimin ndaj opozitës: Rama t’i kërkojë falje elitës “çdo përpjekje për të imponuar dhunimin e shtetit, do të marrë përgjigje”

Askush nuk mund ta dhunojë shtetin ligjor në Shqipëri dhe të imponojë veprime nëpërmjet forcës, sepse do të marrë përgjigjen e duhur ligjore. Kjo ishte deklarata që bëri dje Kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të Qendrës së Përbashkët të Kontrollit të Hapësirës Detare në Durrës. Duke folur për përpjekjet e qeverisë, për forcimin e shtetit ligjor, Kryeministri insistoi se çdo përpjekje për dhunim do të ndëshkohej. “Ne zotohemi se do bëjmë çdo gjë për konsolidimin e ligjit, për zbatimin e ligjit, si kusht i të gjitha kushteve, që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë dhe të drejtat e tyre. çdo përpjekje për të imponuar me cilindo mjet apo forcë qoftë dhunimin e shtetit ligjor, do të marrë përgjigjen ligjore, kushdo dhe cilido”, deklaroi Berisha, i shoqëruar në këtë inaugurim nga ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha. Më tej, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha theksoi se kryetari i PS-së, njëkohësisht kryebashkiaku, Edi Rama, duhet t’u kërkonte falje të gjithë intelektualëve të cilët ishin shprehur kundër grevës së ndërmarrë nga deputetët dhe simpatizantët socialistë. Sipas Berishës, kjo falje duhet të vinte nga Rama edhe nëse ai kishte qenë në momente dëshpërimi kur i kishte vendosur epitete jo të denja asaj që kreu i qeverisë e quajti elitë e kombit. “Uroj që Rama të ketë qenë në momente dëshpërimi ndaj intelektualëve më të shquar të vendit, duke i cilësuar ata me epitete jashtëzakonisht të padenja, duke u thënë ahengxhinj, sazexhinj, çingie. Këto fjalë janë të palejueshme në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, për asnjë qytetar shqiptar ndaj elitave të kombit”, nënvizoi Berisha në fjalën e tij përpara deputetëve demokratë. Kryeministri shtoi se elita e kombit nuk zhbëhet dhe për këtë arsye ajo është kryesorja në ndërtimin e identitetit të një populli. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë kujtoi se ishte diktatura komuniste ajo e cila i persekutoi elitat dhe kjo ishte fatale për shtetin shqiptar. “Elita sulmohet vetëm mbi baza klasore totalitare, por ne do të krijojmë kulturën e proletariatit”, u angazhua Berisha. Por ai nuk harroi t’i kujtojë Edi Ramës, se ai vetë kishte një sfond artistik formimi dhe dështimi në fushën e artit. Kjo mund të ishte një arsye më shumë pse ai i kishte sulmuar intelektualët dhe artistët e vendit. “Ai sfond artistik duhet të të kishte mbrojtur ty me respektin më të thellë për elitën, por druaj se të ka shërbyer për të kundërtën. Druaj se dështimet e tua personale në këtë fushë të kanë bërë ty të urresh sukseset në këto fusha”, theksoi kreu i qeverisë në mbledhjen e grupit parlamentar. Nga ana tjetër, Berisha shpjegoi se elitat kanë treguar gjithnjë se nuk janë në shërbim të pushtetit dhe se për këtë arsye ata kanë dënuar mënyrën se si Edi Rama po e vijon protestën e tij. Sipas Berishës, Edi Rama është njeriu i dytë me më shumë pushtet në vend, pas atij si Kryeministër, duke qenë se kryetari i PS-së është edhe kryetar i bashkisë më të madhe në vend.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›