Frederik Ndoci, jeta në 100 poezi
Këngëtari i mirënjohur, Frederik Ndoci, pavarësisht furtunave që i është dashur të kalojë në jetën personale kohët e fundit, thotë se çdo ditë e shpenzon me muzikën dhe se së shpejti do të botojë një libër me poezi. "Libri që unë po përgatis për botim ka 100 poezi dhe një titull provizor "Zërat e shpirtit", të gjitha të shkruara gjatë emigrimit tim nëpër botë, por disa prej tyre i takojnë edhe kohës së adoleshencës. Kjo është hera e parë që unë dal para publikut me një tjetër profil, atë të poetit", - tha Ndoci në një intervistë për media. Sipas tij, muzika është jetë, energji, pasion, është shpirti dhe inspirimi i tij, është ajo që e ka ndihmuar të mbijetojë. "Në poezitë e mia flas për tematika që shtrihen në fusha të ndryshme dhe prekin probleme akute, që nga politika, problemet sociale, braktisja, dashuria etj. Është një poezi mendimi dhe reflektimi, që më ka shoqëruar nëpër rrugët e mia në botë, që nga toka e parë e huaj që shkela – Spanja - deri tek toka e premtuar - Amerika. Gjithashtu, janë mbresa udhëtimesh në të tjera vende evropiane ku unë si këngëtar kam dhënë koncerte apo nëpër vendet ku kam shijuar mrekullitë e natyrës", - shton këngëtari, duke rrëfyer se poezia e bën dikë të qajë, e bën të të kuptojë; poezia është arti i lidhjes, lidhjes mes jetës dhe ëndrrave. Ai shton mes të tjerash se në librin e tij do të ketë një poezi amanet. "Ndoshta si një amanet për të gjitha vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës gjatë kohës së luftërave, të cilën e kam shkruar në vitin 1991, në Lubjanë, ku takova shumë kosovarë", - përfundon këngëtari, i cili është nderuar me shumë çmime gjatë karrierës së tij.