Topi u dërgon letër partive: “Sillni sugjerime për anëtarët e Gjykatës së Lartë”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u ka dërguar dje letër partive politike shqiptare duke kërkuar prej tyre sugjerime për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Drejtoria e Informimit Publik të institucionit të Presidencës ka bërë me dije se deri dje kanë aplikuar për vendet vakante në Gjykatën e Lartë 105 veta. Sipas Drejtorisë së Informimit Publik, të gjitha aplikimet po përpunohen në Zyrën Juridike të Institucionit të Presidentit të Republikës për t’iu paraqitur më pas grupit të punës të ngritur nga presidenti Topi për asistencë ligjore. Në ditët në vijim, grupi i punës së ekspertëve ligjorë do të mblidhet për të diskutuar dhe shqyrtuar kërkesat e mbërritura në Presidencë, si dhe për t’i paraqitur kreut të shtetit sugjerimet e tij për standardet dhe kriteret, veç atyre ligjore, që mund të merren parasysh gjatë përzgjedhjes së kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë. “Gjithashtu, në frymën e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të transparencës, Presidenti i Republikës u ka dërguar partive politike parlamentare një letër ku i kërkon të paraqesin deri ditën e hënë më 30 qershor 2008, pranë grupit të punës, për asistencë ligjore, mendime dhe sugjerime rreth standardeve dhe kritereve që mund të konsiderohen në përzgjedhjen e kandidaturave të anëtarëve të Gjykatës Lartë”, - shkruhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
25 Qershor 2008