Meta: “Kemi besim te Drejtësia amerikane dhe ajo shqiptare”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka përshëndetur angazhimin dhe vendosmërinë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i shkuar deri në fund hetimit të aferës kriminale që lidhet edhe me Gërdecin. Meta shprehu besimin te organet e Drejtësisë amerikane si dhe te Prokuroria e Përgjithshme në Shqipëri për të zbardhur të vërtetën e kësaj afere kriminale dhe për të dënuar të gjithë fajtorët dhe të implikuarit në të. “Duke përshëndetur Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe drejtësinë amerikane, ne njëkohësisht shprehim përkrahjen më të plotë ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, e cila pavarësisht represioneve dhe mungesave politike që i janë bërë deri tani, t’i shkojë deri në fund këtij hetimi, pavarësisht nga emrat që do të dalin në këtë proces dhe pavarësisht nga lartësia në piramidën ku ata janë vendosur sot”, - tha Meta. I pyetur se si e komentonte përmendjen e emrit të ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers, në hetimin për trafikun e armëve në Shqipëri, kryetari i LSI-së tha: “Nuk ma lejon etika që të përfshihem në debate që kanë të bëjnë me palën amerikane. Por ne, duke shprehur mbështetjen tonë për hetimin që po bëhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për hetimin që po bën Kongresi Amerikan dhe duke shprehur pakënaqësinë më të madhe dhe çudinë më të madhe, që dhe pse ne kemi depozituar kërkesën për një hetim parlamentar në Shqipëri për çështjen e Gërdecit, kjo nuk është pranuar nga të dyja palët, për fat të keq, pa dyshim që kërkojmë një bashkëpunim të ngushtë midis Drejtësisë amerikane dhe Drejtësisë shqiptare për vendosjen përballë drejtësisë të të gjithë fajtorëve, në Amerikë, në Shqipëri, apo kudo qoftë, pavarësisht nga posti apo nga pozita që ata kanë. Nuk mund të paragjykojmë se çfarë ka ndodhur te pala amerikane dhe ç’ndodh atje. Ju duhet të jeni të sigurt se Amerika është një shtet shumë demokratik, sepse dhe kur presidentët kanë rezultuar të implikuar, Amerika ka pasur institucionet për t’i vënë ata para përgjegjësisë”, - tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
Ndërkohë edhe Partia Socialiste ka komentuar çështjen “Uidhers”. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha: “Është një çështje që i përket vetë Kongresit, Partia socialiste vazhdon të vlerësojë rolin e ambasadorit në zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit”.
25 Qershor 2008