E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD: Afera e Gërdecit, qeveria mashtroi Ushtrinë Amerikane



Partia Social-Demokrate i konsideron zhvillimet e fundit në lidhje me ngjarjen e Gërdecit, që kanë të bëjnë me arrestimet në SHBA dhe me vendimin e Pentagonit për hetimin e trafikut të armëve, si një ogur tjetër i keq për qeverinë dhe kryeministrin Sali Berisha. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Social-Demokrate, deputetja Diana Çuli, tha se kryeministri Berisha duhet të kishte dhënë dorëheqjen me kohë, pasi ai është pozicionuar në konflikt të hapur me interesat e zhvillimit dhe të ardhmes së Shqipërisë. “Kryeministri Berisha tashmë është në konflikt të hapur me interesat dhe zhvillimin e kombit shqiptar, i cili nuk ka më as sigurinë e jetës nën qeverisjen e tij. Ashtu si shumë vjet më parë, siç ka pohuar dhe vetë, dërgonte naftë kontrabandë në Serbi, tani na vë në konflikt edhe me vetë NATO-n, ku Shqipëria u pranua pas një sërë provash e vështirësish. Ndaj këtij kryeministri, që duhet të ishte larguar me kohë, kërkesa për dorëheqje është një kërkesë luksi”, - tha Çuli. Ajo theksoi se arrestimet e bujshme në SHBA për trafikun e armëve po e nxjerrin zbuluar aferat e qeverisë dhe kryeministrit Berisha. “Këto arrestime do të hedhin dritë mbi arsyet e vërteta pse kjo qeveri u mundua të mos hetohet Gërdeci. Këto hetime, që po kryhen në SHBA, po dëshmojnë se fabrika famëkeqe e Gërdecit punonte në të zezë jo vetëm për të shmangur taksat, por edhe sepse aty kryhej mashtrimi ndaj ushtrisë amerikane, me qëllimin e vetëm përfitimin dhe pasurimin personal të paligjshëm të këtyre qeveritarëve.
Qeveria shqiptare dhe kryeministri Berisha deklaroi në fillim se ai e mori vesh skandalin vetëm nga gazetari i “The New York Times”-it dhe se as e dinte se ku binte Gërdeci. Ai e kundërshtoi gazetarin dhe sot e kësaj dite thotë se municionet janë prodhim shqiptar. Ai dhe qeveria e tij sot nuk po bëjnë asnjë deklaratë mbi arrestimin e Diverolit, të përfshirë në trafikun e armëve”, - tha Çuli, e cila në emër të PSD-së i bëri thirrje Prokurorisë që të hetojë me profesionalizëm aferën kriminale të Gërdecit.

25 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›