Rama takohet me Martin Shultz, diskutohet për reformën zgjedhore
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vazhdoi takimet në Bruksel me të tjerë përfaqësues të Parlamentit Europian dhe institucioneve të tjera të BE-së. Rama u takua dje me kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Europiane, Martin Shultz. Shultz e përgëzoi Ramën për procesin gjithëpërfshirës të hartimit të programit të ri të Partisë Socialiste, si dhe për iniciativat e rëndësishme që ka ndërmarrë PS-ja në kuadër të reformave të rëndësishme të shtetit. Rama shprehu shqetësimin për Reformën Zgjedhore, veçanërisht për procesin e prodhimit të Kartave të Identitetit dhe Regjistrit Zgjedhor. Ai i konsideroi këto si parakushte themelore për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjithashtu, kreu i PS-së shprehu shqetësim edhe për veprimet e maxhorancës, të cilat kanë për synim të cenojnë autonominë e institucioneve të pavarura. Shembulli më i fundit ishte votimi kundër dekreteve të presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Nga ana e tij, europarlamentari Shultz u shpreh se nuk mjaftojnë vetëm deklaratat për reforma, por duhen veprime konkrete dhe vullnet i qartë.
25 Qershor 2008