E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja denoncon kryeministrin Berisha në Departamentin Amerikan të Shtetit

Akuza e socialistëve dhe e LSI-së: Kreu i qeverisë, trafikant armësh. Meta: “Berisha të dorëhiqet, të lërë imunitetin dhe të hetohet”

Shaban Sulçe

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë shtuar dozat e akuzave ndaj kryeministrit Berisha, pas zhvillimeve të reja që kanë marrë hetimet për trafikun e armëve në Shqipëri.
PS-ja dhe LSI-ja kanë akuzuar kryeministrin Berisha jo vetëm si të implikuar të drejtpërdrejtë në këtë trafik, por edhe si shkaktar të tragjedisë së Gërdecit. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka dërguar dje një letër Departamentit Amerikan të Shtetit për të denoncuar përfshirjen dhe implikimin e Berishës në trafikun e armëve në dëm të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë që kreu i LSI-së, Ilir Meta, për të disatën herë që pas shpërthimit të tragjedisë së Gërdecit ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Berisha, heqjen e imunitetit të tij dhe nënshtrimit të procedurave hetimore.
Letra
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka dërguar një letër denoncuese Departamentit Amerikan të Shtetit si dhe organizatave të rëndësishme ndërkombëtare si Komiteti i Sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Amnesty International, Rrjeti i Aksionit Ndërkombëtar për Armët e Vogla (IANSA) dhe OXFAM-i, për të denoncuar kryeministrin Sali Berisha si nxitës, mbështetës dhe përfitues në trafikun e armëve. Sipas nënkryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, në këtë letër faktohet në mënyrë të qartë implikimi i Sali Berishës dhe qeverive të drejtuara prej tij në trafikim të armëve në zona të nxehta konflikti në disa raste të pohuara edhe nga vetë Sali Berisha. “Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e konsideron si detyrë prioritare denoncimin e këtyre veprimeve që bien ndesh me detyrimet e Shqipërisë që burojnë nga traktatet e marrëveshjet kombëtare dhe ndërkombëtare, duke distancuar Shqipërinë nga këto veprime të shtetarëve të korruptuar të saj në radhë të parë të të cilëve qëndron kryeministri i vendit, Sali Berisha”, - tha Braçe. Deputeti socialist tha për kryeministrin Berisha se “ai e ka pasur filozofi dhe praktikë të vazhdueshme pune trafikun e armëve; trafikim që ai e ka kryer me vetëdije të plotë; siç e ka pranuar edhe vetë në prononcimet publike në shkelje të sanksioneve ndërkombëtare dhe në dëm të interesave dhe reputacionit të vendit”.
Meta
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se tragjedia kriminale e Gërdecit është bërë për fat të keq një damkë e zezë që Sali Berisha i ka vendosur vendit. Meta theksoi se gjithnjë e më shumë po faktohet implikimi i kryeministrit Berisha në këtë aferë kriminale. Për këtë arsye kryetari i LSI-së tha se Berisha jo vetëm që duhet të japë dorëheqjen si kryeministër, por duhet të dorëzojë imunitetin dhe të hetohet për këtë aferë kriminale dhe për trafikun e armëve. “Tashmë është mjaft evidente që të gjitha faktet e kësaj afere të çojnë te Sali Berisha. Ndaj ka vetëm një mënyrë që të hiqet kjo njollë e zezë që Sali Berisha ka vendosur mbi Shqipërinë, që të zhvillohet një proces transparent hetimi dhe gjykimi dhe të gjithë fajtorët dhe kryefajtori të marrë dënimin e merituar. Ky proces transparence e drejtësie fillon me të vërtetë vetëm me dorëheqjen e Sali Berishës nga posti i kryeministrit dhe me heqjen e imunitetit të tij, për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë”, - tha Meta. Ai theksoi se opozita duhet të fokusohet në objektivin e vetëm, që është dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Sali Berisha. “Dorëheqja e menjëhershme e Sali Berishës duhet të jetë objektivi i vetëm politik i të gjithë opozitës sot, sepse nuk mund të bëhen reforma me simbolin e shkatërrimit dhe të antishtetit. Cilido që vepron ndryshe, jo vetëm që kërkon të mashtrojë shqiptarët, por sigurisht që do të provojë që është i kapur nga Berisha”, - u shpreh kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

25 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›