Frenk Riberi mban "peng" Bajernin e Mynihut
"Rinovimi i kontratës me Bajernin është një opsion, por dëshiroj të fitoj Champions League. Në momentin që po flasim, skuadra jonë nuk është në nivelin e nevojshëm për të triumfuar në këtë aktivitet". Frenk Riberi i përgjigjet mjaft ashpër ultimatumit të Uli Hënes dhe të drejtuesve në Mynih. Së fundmi, krerët e gjigantëve bavarezë kanë deklaruar publikisht: "Dëshirojmë të mbajmë lojtarin në skuadër, por nëse ai nuk rinovon kontratën (e cila skadon në vitin 2011), në qershor do ta nxjerrim në shitje". Lëvizja e klubit që ka fituar më shumë trofe në Gjermani është e kuptueshme: ata nuk duan të rrezikojnë që të humbasin 50-60 milionë euro pas 18 muajve, kur lojtari do të ketë mundësinë të transferohet në një tjetër skuadër me parametër zero. Megjithatë, ajo që nuk parashikohej ishte kundërpërgjigjja me tone të ashpra e yllit francez. Duke përcaktuar kushtet për të ardhmen, praktikisht Riberi ka marrë "peng" Bajernin. Zhvillimet më të fundit janë mirëpritur nga Reali i Madridit dhe Çelsit, që janë në krye të listës së klubeve që kërkojnë shërbimet e 26-vjeçarit. Lojtari shtoi: "Nuk mund të krahasohemi me ekipe si Barça, Real Madrid, Arsenal apo Inter". Megjithatë, në të njëjtën kohë, Riberi nënvijëzon se këto deklarata nuk lidhen me spekulimet se ai ka firmosur parakontratë me madrilenët e Florentino Perez. "Reali? Nuk kam firmosur asnjë parakontratë me këtë skuadër. Çfarë roli do të ketë Van Gal në vendimin tim për të ardhmen? Trajneri nuk do të ketë peshë të madhe, e rëndësishme është sesi do të reagojnë Hënes dhe Rumenige", përfundoi Riberi.