E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fried: Nuk do të lejojmë kurrë ndarjen e Kosovës

Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë ndarjen e Kosovës, ka deklaruar ndihmëssekretari i Shtetit, Daniel Fried. "Ne e hedhim poshtë ndarjen e Kosovës. E kemi njohur pavarësinë e Kosovës si të tërë dhe kemi insistuar, ndërsa qeveria e Kosovës ra dakord, që të respektohen të drejtat e komunitetit serb", tha Fried në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Duke shprehur keqardhje për ngjarjet e fundit të dhunshme në Mitrovicë, Fried tha se "dhuna e disa radikalëve brenda komunitetit serb në Kosovë, është nxitur nga disa radikalë në Beograd, gjë që është tejet e papërgjegjshme". "Paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara dhe forcat NATO-s u sulmuan me granata dhe armë automatike nga radikalët serbë. Por ne nuk do të lejojmë ndarjen e Kosovës. Ky nuk është vetëm mendimi i Shteteve të Bashkuara, por edhe i partnerëve tanë evropianë", tha ndihmëssekretari i Shtetit Daniel Fried. "Madje edhe Rusia formalisht e ka hedhur poshtë ndarjen e Kosovës. Serbia duhet të shohë përpara drejt së ardhmes evropiane", tha ndihmëssekretari i Shtetit, Daniel Fried, për Radion Evropa e Lirë. Kosovarët kanë mirëpritur ndihmën ushtarake të SHBA-ve, por Forcat e Sigurisë së Kosovës, që do ta marrin këtë ndihmë, ende nuk janë themeluar. Faza e tranzicionit dhe miratimi i Kushtetutës janë dy çështje që duhet të përfundohen para themelimit të FSK-së. Funksionalizimi i FSK-së pritet të bëhet pas 4 ose 5 vjetësh. Presidenti amerikan, George Bush, ka autorizuar furnizimin e Kosovës me armatim, por në Kosovë ende nuk janë themeluar forcat që do të pajisen me këtë armatim dhe artikuj të tjerë mbrojtës. Qeveria e Kosovës thotë se nga ana e infrastrukturës ligjore, çdo gjë është gati për themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave të sigurisë, ashtu siç parashihet me pakon e Presidentit Martti Ahtisaari. Por, për funksionalizimin e kësaj force, sipas ekspertit për çështje ushtarake, Ramadan Qehaja, do të duhen 4 deri në 5 vjet.

"Kjo forcë duhet të ngrihet me faza. Në fazën e parë, sipas mendimit tim, duhet të shkohet me formësimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë, të ngritjes së Shtabit të Përgjithshëm të kësaj force dhe njëkohësisht me formësimin e njësiteve për gatishmëri civile, për mbrojtje civile", tha Qehaja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›