Frika, arsyeja e largimit

Cesc Fabregas ka bërë të ditur se vendosi të largohet nga Arsenali pasi u frikësua se skuadra nuk do të përfundojë pritjen e gjatë për titull.
Fabregas, 24 vjeç, ngriti FA Cup në Arsenal më 2005, por dështoi të arrinte sukses të mëtutjeshëm para se të finalizonte transferimin e tij në Barcelonë gjatë kësaj vere për afro 35 milionë funte.
Edhe pse iu bashkua Barcelonës në gusht, Fabregas fitoi Superkupën e Spanjës dhe Superkupën e Evropës me skuadrën e tij të re, ndërsa ka pranuar se brengat rreth të ardhmes së Arsenalit luajtën rol në vendimin e tij për rikthim te klubi i fëmijërisë.
“Më është nevojitur një ndryshim në jetë, kjo është e vërteta. Ne nuk fitonim tituj dhe ishte dëshpëruese për mua. Nuk ndjeja se zhvillohesha më tepër seç doja. Dua të jem në një klub ku jam në gjendje të fitoj tituj të mëdhenj vit pas viti dhe nuk e shoh këtë të ardhme për Arsenalin" tha Fabregas.
"Ende kam ndjenja për Arsenalin, por frikësohem se ata nuk janë në gjendje të konkurrojnë me klubet tjera në Angli. Nëse e shikoni ekipin këtë vit, nuk e paramendoj se do të dalin para skuadrave si Manchester United, City e Chelsea. Ka dallim të madh mes ekipeve”, përfundoi Fabregas për magazinën Sport.