E Diel, 1 Nëntor 2026

Frika e Madridit

Madridi u zgjua të dielën nën mjegull dhe me një ndjenjë të rëndë të kuptimit se ekipi më i shtrenjtë në histori të futbollit mund të jetë në rrugë drejt dështimit. Real Madrid shpenzoi mbi 260 milionë euro gjatë verës së vitit të kaluar për transferimin e tetë futbollistëve të rinj, duke përfshirë Cristiano Ronaldon, blerja më e shtrenjtë në histori të futbollit.

Objektivi i presidentit të klubit Florentino Perez ishte që sa më shpejt të përfundojë dominimi i Barcelonës në Evropë dhe Spanjë dhe të kthejë Realin aty ky kishte qenë 10 vjet më parë: në kulmin e futbollit botëror.

Ekipi i yjeve i Manuel Pellegrinit bëri fillim premtues në shtator, kur Ronaldo dhe Kaka shënonin gola. Por, ky i pari lëndoi nyjën e këmbës në tetor dhe në mungesë të tij, erdhi turpërimi në Copa del Rey pas eliminimit nga ekipi i ligës së tretë, Alcorcon.

Ronaldo u rikthye më 29 nëntor për ‘El Clasico’ kundër Barcelonës, por nuk mundi të parandalojë humbjen 1-0. Viti përfundoi me triumfin absolut të Barcelonës në Kampionatin botëror të klubeve, ku fituan titullin e gjashtë për vitin 2009, rekord botëror.

Real e filloi vitin 2010 me barazim dëshpërues 0-0 në Osasuna, që i mundësoi Barcelonës të mbetet dy pikë mbi ta në krye të tabelës në La Liga. Të shtunën, Real u mposht befasisht 1-0 nga Athletic Bilbao, ndërsa Barcelona shkatërroi Sevillan 4-0 dhe hapi epërsi prej pesë pikëve ndaj gjigantit madrilen.

Barcelona është “kampion dimëror” – titull i cili i takon ekipit që është i pari në pjesën e parë të sezonit – një javë para përfundimit të rrethit të parë të ndeshjeve. Të shtunën mbrëma, televizioni TeleMadrid komentoi se “do të jetë shumë vështirë për Realin të kompensojë deficitin prej pesë pikëve”.

Radiostacioni madrilen, Cadena COPE, tha se Ronaldo dhe Kaka nuk janë duke dëshmuar se janë “futbollistë vendimtarë” që ishte shpresa e gjithë tifozëve të klubit dhe shtoi se Kaka ishte “i humbur në fushë pa ide të qarta dhe funksion në ekip”.

Mediume të tjera theksuan se Real ndoshta duhet të përqendrohet më tepër në Ligën e Kampionëve, finalja e këtij edicioni zhvillohet më 22 maj në Madrid. Ueb faqja zyrtare e klubit i është shmangur analizës kritike ndaj problemeve të ekipit thjesht duke arsyetuar humbjen në Bilbao si “disfatë e padrejtë”, sepse ekipi “ka dominuar nga fillimi deri në fund”.

Pellegrini ka ofruar mendim të ngjashëm pas humbjes në deklaratë që mund të habitë shumëkënd se “ishte vetëm një ekip në fushë – Real Madrid”.

Mirëpo, të përditshmet sportive madrilene, AS dhe Marca të dyja kanë ofruar analizë kritike të dielën. Marca e komentoi humbjen në Bilbao si “hap të madh prapa” dhe se epërsia e Barcelonës prej pesë pikëve është “dallim i konsiderueshëm”.

Përfundimi i Marcas ishte se Reali “ka pak hapësirë për gabime dhe nuk guxon të rrëshqasë përsëri. Ata nuk kanë arritur të shënojnë në dy ndeshjet e fundit në udhëtim dhe kjo është e papranueshme”.

Mungesa e fuqisë sulmuese ishte njëra prej brengave nga e përditshmja rivale, AS. “Reali bëri vetëm një lëvizje të mirë dhe ekipi varej prej goditjeve nga distanca”, shkruante AS.

Në shkurt 2006, Perez kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit kur ishte e qartë se ekipi ‘galaktik’ që kishte ndërtuar nga viti 2000 nuk ishte i aftë të garojë me Barcelonën.

A do t’i shkojë mendja të braktisë anijen për herë të dytë, nëse bëhet e qartë se ky ekip i shtrenjtë nuk mund të sfidojë seriozisht dominimin e Barcelonës?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›