E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDR-ja përshëndet Senatin amerikan për Shqipërinë



Kryetari i grupit parlamentar të PDR-së, Tritan Shehu, përshëndeti dje mesazhin pozitiv të zyrtarëve amerikanë lidhur me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, mesazh që u përcoll në seancën e diskutimit të Komisionit të Jashtëm të Senatit Amerikan, mbajtur më 10 shtator. Shehu përshëndeti deklaratat e Senatorit Richard Lugar dhe ndihmëssekretarit të Jashtëm amerikan, Daniel Fried, lidhur me arritjet e Shqipërisë për t'iu afruar standardeve të NATO-s. Z. Shehu vlerësoi hapësirën e madhe që SHBA-të kanë krijuar për integrimin e vendit tonë në Aleancë. "Ky është një vlerësim për ndryshimet e këtyre viteve, si në jetën politike, arritjet ekonomike, luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e strukturave të Forcave të Armatosura. Ky mesazh është një inkurajim i madh për qeverinë, maxhorancën dhe politikën shqiptare, për të qenë më efektive dhe i jep një vend të vlerësuar Shqipërisë në arenën ndërkombëtare", - tha Shehu. Njëkohësisht, ai shprehu keqardhje për qëndrimin e opozitës 'që mesazhe të tilla inkurajuese i interpreton së prapthi'. "Në këtë mënyrë nuk goditet një krah i politikës, por realisht hidhet baltë mbi zhvillimet e Shqipërisë, duke u bërë pengesë në ritmet tona të shpejta të integrimit. Opozita duhet të jetë më racionale në opinionet e saj dhe më realiste për hapat e bëra nga Shqipëria", - u shpreh z.Tritan Shehu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›