E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Ekonomia shqiptare, imunitet në stabilitetin e çmimeve



Kriza globale e çmimeve, e përcjellë edhe në Shqipëri, nuk krijoi shumë shqetësim në ekonominë shqiptare, në një kohë kur vihet re se tashmë ka nisur të ketë një stabilitet çmimesh. Kjo është vlerësuar edhe nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili la vlerësuar se ekonomia vendase ka mundur të përballojë këtë situatë, duke shfaqur imunitet. “Në rrafshin kombëtar, si zhvillimin më të spikatur, do të evidentoja imunitetin që shfaqi ekonomia jonë në drejtim të stabilitetit të çmimeve, në rrethanat kur aktiviteti ekonomik i vendit po ecën sipas pritshmërive tona të mëparshme”, - ka deklaruar Fullani. Ai ka vlerësuar nivelin e ulët të inflacionit që shënoi muaji gusht i këtij viti. “Disa ditë më parë, INSTAT-i publikoi shifrën e inflacionit për muajin gusht 2008, sipas të cilës inflacioni vjetor u ndal në nivelin 2,5 për qind. Pas një periudhe 12-mujore me norma inflacioni rreth nivelit 4-4,5 për qind, në përputhje dhe me parashikimet tona, vlerësohet se në muajt në vazhdim inflacioni do të luhatet rreth vlerës 3 për qind, aq sa ç’është dhe vlera sasiore e objektivit tonë”, - tha Fullani. Sipas tij, pavarësisht kësaj, duhet theksuar se rreziqet për devijimin e tij në rritje janë ende prezente dhe më së shumti, lidhen me zhvillimet ndërkombëtare që përmenda më sipër. Fullani tha se në planin e brendshëm, rreziqet kryesore janë të lidhura me ndonjë përkeqësim të mundshëm të situatës energjetike si dhe me implikime të mundshme të situatës fiskale në të ardhmen. Për momentin, rreziku më i madh vjen nga efektet e vonuara që shkaktojnë disa zhvillime të caktuara si për shembull, rritja e pagave përtej një niveli logjik të pranuar (ndryshe quhen efekte të raundit të dytë). Çdo rritje e tillë nuk do të bënte gjë tjetër vetëm se do të gjeneronte inflacioni të ri, duke imponuar një rritje tjetër pagash, e cila nga ana saj do të prodhonte përsëri dhe përsëri inflacion. Më lejoni të sqaroj se kjo nuk është rruga e duhur. Spiralet paga – inflacion janë studiuar relativisht herët dhe përbëjnë recetat më pak të përshtatshme, në kompensimin e pasojave të inflacionit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›