E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit nderojnë figurën e Azem Hajdarit



Shoqata e të Përndjekurve Antikomunistë Demokratë zhvilloi dje, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, një aktivitet me rastin e 10-vjetorit të vdekjes të martirëve të demokracisë, Azem Hajdari, Besim Çera, Skënder Kalenja dhe Adem Shehu. Skënder Qëndro, ish-kryetar i Shoqatës Antikomuniste, solli në kujtesë të të pranishmëve ngjarjen e 10 viteve më parë, më 12 shtator 1998, "kur Tirana u përgjak para selisë së Partisë Demokratike ku u vra Azem Hajdari, lideri heroik i demokracisë, djali trim dhe krenar jo vetëm i Tropojës, por dhe i të gjithë Shqipërisë dhe së bashku me të u vranë dhe Besim Çera, Skënder Kalenja dhe Adem Shehu". Duke vlerësuar figurën e martirëve të demokracisë, Reshat Kripa, kryetar i degës së Shoqatës Antikomuniste të Tiranës, theksoi se "në këto ditë Azemin e shohim si para 10 vjetësh, e shohim madhështor në krye të studentëve të Tiranës, e shohim në krye të Partisë Demokratike, si kryetarin e parë të saj, e shohim në rrjedhën e atyre ngjarjeve të paharruara të viteve 1991-1997 si një pishtar që ndriçonte rrugën e demokracisë". Ndërsa Simon Miraka, drejtor i Institutit të Etnografisë, duke vlerësuar kontributin dhe veprën e Azem Hajdarit në lëvizjen studentore të dhjetorit, theksoi se ''vepra e tij ka lënë gjurmë në breza të tërë, të cilët e kujtojnë e përulen me respekt në kujtim të figurës së tij". Ai u ndal edhe në kontributin e figurave të tjera si Besim Çera, Skënder Kalenja dhe Adem Shehu, që kanë bashkëpunuar me Azemin dhe kanë lënë gjurmë në historinë e asaj periudhe. Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia, duke përgëzuar shoqatën për këtë nismë që ka ndërmarrë në kujtim të figurës së Azem Hajdarit, tha se ''vepra të tilla do të lënë gjurmë në brezat që do vijnë dhe do transmetojnë mesazhin për demokraci''. Ndërsa kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, duke folur për figurën e Skënder Kalenjës, nënkryetar i Ballit Kombëtar Demokrat deri në momentet e fundit të jetës së tij, tha se ai "do të respektohet nga ne dhe brezat që vijnë për kurajon, urtësinë, trimërinë dhe mençurinë që e karakterizonte". Duke folur për figurën e Azem Hajdarit, Besim Çerës dhe Adem Shehut, z. Roshi tha se "deri në momentin e fundit të jetës së tyre ata me vetëdije shërbyen çdo gjë për demokracinë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›