E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frika e mbytjes, bllokohet varka e dytë pas tragjedisë së Farkës

TIRANE - Sekuestrohet varka e dytë e lokalit të Afrim Dibrës në liqenin e Farkës, ku dy muaj më parë ndodhi tragjedia që shkaktoi 16 të vdekur. 

Policia ka kryer sekuestrimin e varkës së mbetur me urdhër të Prokurorisë së rrethit, e cila i ka deleguar kryerjen e kësaj procedure uniformave blu për bllokimin e varkës. Bllokimi i mjetit të dytë lundrues të lokalit në pronësi të familjes Dibra, është bërë i ditur për gazetën “Panorama” nga burime të Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, urdhri i nxjerrë në fund të javës së kaluar është ekzekutuar dje në mesditë nga policia. Kjo e fundit ka bllokuar varkën, duke e nxjerrë nga liqeni dhe duke e zhvendosur në ambientet e Komisariatit nr.1 në kryeqytet. Urdhri i bllokimit është arsyetuar nga Prokuroria me qëllim parandalimin e ndonjë fatkeqësie të mundshme të personave që mund të tentonin të udhëtonin me këtë varkë në liqenin e Farkës. Një kamion e ka transportuar varkën në drejtim të Komisariatit nr.1, ku duhet të qëndrojë e bllokuar. Pavarësisht urdhrit të sekuestros të nxjerrë nga organi i akuzës në kryeqytet, policia nuk e ka pasur fort të lehtë realizimin e këtij sekuestrimi. Veç transportit dhe nxjerrjes nga liqeni me vështirësi të varkës, policia ka pasur vështirësi në sistemimin e varkës. Kjo, pasi pika e bllokimit të mjeteve motorike dhe lundruese në Lundër është e mbushur dhe është mbi kapacitetet e saj. Po kështu edhe në Komisariatin e Policisë Rrugore nuk ka qenë e mundur, pasi edhe kjo pikë ka qenë e mbingarkuar nga mjetet e ndryshme të bllokuara. Në këto rrethana, blutë e Komisariatit nr.1 kanë vendosur ta lënë përkohësisht në ambientet e tyre varkën e lokalit të tragjedisë së 6 marsit të këtij viti në Tiranë. Varka, e cila shkaktoi tragjedinë në këtë liqen, është sekuestruar nga policia po me urdhër të Prokurorisë tri ditë pas ngjarjes dhe është bllokuar në Lundër.      d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›