E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rrumi” e “Palla”

Martin Leka 

Fillimisht, po shpjegoj pak  “etimologjinë” e këtyre fjalëve, të cilat kanë hyrë në fjalorin e përditshëm si një e vetme që kur kryetari i socialistëve Rama përdori sinonimin “Doktor Rrumpalla” për kryetarin e demokratëve Berisha. Për kundërpeshë kryetarit socialist po i kthejnë monedhën: “Piktor Rrumpalla”. Rrum, në dialekt, i thonë bocës së misrit. Pra, një kalli misri, pas i hiqen kokrrat, mbetet rrumi ... Rrum, në dialektore, përdoret si sinonim i njeriut kot, të padobishëm; afërsisht e barabartë me “pemë pa kokrra”… - ai është budalla, është kot, është rrum…; ik ore rrum kollomoqi (misri)…Pallën nuk po e shpjegoj, pasi kjo fjalë është kaq shumë e përdorshme dhe e ditur, sa e dëgjon kudo në fjalorin e ditës, të politikës, të spektakleve. Madje, kjo fjalë ka hyrë edhe në fjalorin e përditshëm të nxënësve të shkollave, për fat të keq.  -Ai është pallë; ik mor pallë; ata të dy janë palloshë…
Fjala rrumpallë tregon pak a shumë për një kaos qëndrimesh e veprimesh të papërgjegjshme, për drejtim pa sens, kuturu; “bjeri t’i biem”...(!) Nuk e di nëse fjala “rrumpallë” ka lidhje gjuhësore me këto dy fjalë, por gjithsesi, po t’i referohemi kuptimit veçmas të tyre, nuk është se janë krejt pa lidhje me njëra-tjetrën, çka të le të kuptosh se “rrumpalla” ka lidhje edhe me “rrumin”, edhe me “pallën”…
* * *
Rrum dhe pallë, pra rrumpallë, duket politika që bëjnë sot formacionet politike që drejtohen nga Rama dhe Berisha. Të dy kanë dalë këto ditë në ture dialogjesh me popullin, ku ky i fundit, pra populli, thotë se të dy thonë “llogje”. Nuk mendoj kështu në këtë rast, pra jam kundër popullit, pasi ata thonë plot gjëra që nuk kanë lidhje me “llogjet”.
I pari, vazhdon të ketë si simbol të fushatës së tij dialogare luftën ndaj “politikës së vjetër” e promovimin e asaj të re. E nisi si fillim me luftën ndaj “politikës  së vjetër të F. Nanos”, liderit historik që i zuri karrigen (me votë). Më pas vazhdoi me luftën ndaj politikës së vjetër të Berishës. Në çdo takim, ai theksonte se koalicioni i të majtës, që përmblidhte partitë që drejtoheshin nga Rama, Meta, Ceka, Gjinushi, Milo, ishte politika e re, e cila do të “ngadhënjente” mbi politikën e vjetër të Berishës e atyre që kishin shtatëmbëdhjetë vjet që nuk linin të renë të përparonte. Por, ndërsa ishte në koalicion, bisedat për kodin zgjedhor i bënte vetëm me Berishën, politikanin që përfaqësonte politikën e vjetër?!... Aleatët u shkëputën nga ky “pazar” dhe e denoncuan atë si papërgjegjshmëri politike. Të nesërmen, Rama i anatemoi ata dhe vazhdon akoma si përfaqësues të politikës së vjetër. Ky është një shembull i keqadministrimit të trashëgimisë politike dhe i mungesës së kohezionit politik.
Domethënë, rrumpallë politike!…        
* * *
I dyti, ka nisur një tur, si plagjiaturë dialogu, me një simbolikë triumfatore “Shqipëria në NATO”. Pak a shumë, është si puna e “boshit”, rrugë apo punë bosh, si i thonë. Sepse, tashmë Shqipëria e hapi rrugën dhe anëtarësimin në NATO nuk e ndal dot as vetë Berisha, edhe sikur ta dojë një gjë të tillë. Nuk e ndalon dot, sepse siç edhe është komentuar më parë nga kolegë e politologë, në organizatën më të madhe ushtarako-politike më shumë na anëtarësojnë se anëtarësohemi. Do ta bëjnë këtë, pra do të na bëjnë anëtarë të NATO-s pikërisht që në këtë vend të mos sundojë politika e politikanët “rrumpallë”. Nëse Berisha do ta kishte seriozisht turin që ka nisur, do të duhej t’u shpjegonte militantëve e qytetarëve pa dallime partiake se pse korrupsioni është në këto nivele; pse administrata është e paaftë e në nivele mediokre si pasojë e mbizotërimit në të, të militantëve partiakë të partive e partiçkave koalicionare; pse niveli ekonomik po arrin shpesh në kufijtë e mbijetesës; pse ndryshimet kushtetuese kapën edhe dispozitat që kanë lidhje me zgjedhjen e një presidenti partiak; pse në partinë e tij vërehet mungesa e oksigjenit demokratik dhe e ndrydhjes së mendimit ndryshe etj., etj.
Pra, pse në qeverisje dhe në PD sundon kjo rrumpallë politike?!...
***
Këta të dy, pra Berisha dhe Rama, po krijojnë vërtetë një “rrumpallhane politike”, sa çdo ditë e më tepër po delizionojnë mbështetësit. Nga njëra anë akuzojnë e anatemojnë njëri-tjetrin, nga ana tjetër bashkëpunojnë për mrekulli. Sigurisht, për hir të “reformave”. Eshtë pak e çuditshme se si ky bashkëpunim e kjo simbiozë është arritur mes një “politikani të ri” e një “politikani të vjetër”?!
Para pak ditësh, nga selia rozë, një politikan socialist akuzonte kryeministrin pse ky nuk po gjente zëvendëskryeministrin, vendin vakant pas kalimit të këtij në detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Kësaj i thonë të tallesh me veten. A nuk ishin socialistët që lanë vakant disa poste ministrash për muaj të tërë dhe këtë vend nuk e gjeti ndonjë e keqe?!... Pastaj, çfarë opozitarizmi është ky, kur opozita ka pushuar së qenuri e tillë që kur nuk mundi dot të trondiste qeverinë edhe pas një katastrofe si ajo e Gërdecit, me pasoja të jashtëzakonshme njerëzore e ekonomike e me bazë korrupsionin qeveritar?! Jo më kot është krijuar aluzioni se Rama dhe Berisha po bashkëpunojnë për bukuri, janë bërë “armiq” të dashur! Sigurisht, përfitimet politike i merr ky i fundit, por kjo s’ka rëndësi për të parin, pasi ky mendon për të ardhmen…
Në kushtet kur ky bashkëpunim “për reforma” po funksionon për bukuri, pse atëherë Berisha duhet të prishë qejfin me gjithë sojsorollopin e koalicionit të tij, të cilët duan të gjithë poste qeveritare? A nuk po e “kryen” Rama më mirë këtë detyrë?!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›