Frika nga deshtimi, ministrat e Berishes, ne krye te listes
Eljona Ballhysa
Data 18 maj shënon përfundimin e afatit në dispozicion të partive politike për të zyrtarizuar listën e kandidatëve për deputetë. Pra kryetarët e partive kanë më pak se një javë kohë për të firmosur dhe vulosur emrat e kandidatëve për deputetë, qarqet ku do të kandidojnë dhe renditjen e tyre. Kodi i ri Zgjedhor, i cili ndryshoi sistemin nga maxhoritar të përzier me proporcional, në proporcional rajonal, i jep shumë rëndësi renditjes së kandidatëve në listë. Pra kandidatët që janë të parët në listat e 12 qarqeve të vendit, nëse kandidojnë për dy partitë e mëdha, e kanë pothuajse të garantuar një karrige në Kuvendin e ri. Ndërsa të tjerët, që ndodhen nga mesi i listës, do të mbajnë mbi supe peshën e vërtetë të fushatës elektorale dhe do të zhvillojnë betejën për një mandat deputeti. Burimet kanë bërë të ditur se kryeministri Berisha pritet të vendosë të parët në listë ministrat e tij, disa prej anëtarëve të Kryesisë së PD-së, si dhe titullarët e partisë, pra nënkryetarët e sekretarët. I gjithë lidershipi i PD-së po garanton paraprakisht karrigen e deputetit. Nëse, ashtu sikurse pohojnë burimet nga PD-ja, Berisha do të vendosë figurat kryesore të PD-së të parat në lista, një veprim i tillë tregon mungesën e votëbesimit në elektorat të kabinetit qeveritar. Pra qytetarët shqiptarë nuk do të kenë mundësi që me votë të mund të largojnë një nga ministrat aktualë që nuk e mbështesin.
Taktika
Në procese zgjedhore ndodh që figurat e fortat të partisë kandidohen në zona të vështira elektorale. Madje këtë taktikë e ka përdorur dhe vetë kryetari i PD-së në proceset zgjedhore të kaluara. Ndërsa me sistemin aktual zgjedhor më e rëndësishme se zona është renditja e deputetëve në listë. Kështu, figurat e forta të PD-së, që të tregonin forcën e tyre dhe peshën e vërtetë që kanë, duhej të renditeshin në mes të listës së kandidatëve për deputetë dhe jo në vendet e para. Nënkryetarja Topalli do t’i shtonte më tepër pikë vetes në rast se do të ishte e 5-ta në listën e kandidatëve për deputetë në Shkodër. Po kështu dhe sekretari i Përgjithshëm, Bode, në rast se do të fitonte në Korçë në një renditje në listë në vendin e 5-të ose të gjashtë, ai do të ishte i votëbesuar jo vetëm si sekretar i Përgjithshëm i PD-së, por edhe si ministër i Financave. Edhe Bumçi, i cili pritet të zgjidhet, ndoshta javën e ardhshme, kryetar i PD-së së Tiranës, do të forcohej më tepër në rast se del deputet i Tiranës në rastin e një renditjeje i 10-ti apo i 12-ti në listën e kandidatëve për deputetë për këtë qark. Në qoftë se këta ministra apo figura me peshë të PD-së do të renditeshin në këtë brez të dyshimtë të listës së kandidatëve për deputetë, do të merrnin votëbesimin e elektoratit.
Vendimi
Por, pritet që e kundërta të ndodhë. Megjithëse ende nuk kemi asnjë prononcim publik të kryeministrit Berisha për përmbajtjen e listës së kandidatëve të PD-së, burimet bëjnë të ditur se ai nuk pritet të rrezikojë shumë. Që do të thotë se njerëzit e tij të afërt, ministrat dhe titullarët e PD-së, do të jenë në vende të favorshme në listë, duke e pasur të garantuar paraprakisht mandatin e deputetit. Por kjo renditje ul peshën e ministrave dhe rrit figurën e individëve që do të arrijnë të fitojnë vota, megjithëse do të jenë në vende të pafavorshme.
13 Maj 2009