E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Maqedoni kërkon pjesëmarrjen e Kosovës në tryezat rajonale



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me Presidentin e ri të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në rezidencën e Presidentit të Republikës së Maqedonisë, në Shkup. Takimi mes dy krerëve u zhvillua menjëherë pas pjesëmarrjes së presidentit Topi në ceremoninë solemne të marrjes së detyrës së presidentit të ri Ivanov në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Gjatë këtij takimi presidenti i Shqipërisë dhe ai maqedonas kanë diskutuar edhe për Kosovën dhe realitetin e ri gjeopolitik në rajonin ballkanik. Presidenti Topi ka theksuar nevojën e pranisë së Kosovës, si shtet i pavarur tashmë, në tryeza dhe nisma rajonale dhe projekte të përbashkëta ekonomike, duke vlerësuar edhe rolin moderator të faktorit shqiptar në rajonin tonë. Në ceremoninë e marrjes së detyrës së presidentit të ri të Maqedonisë nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i shtetit të ri të Kosovës, ndërkohë që nuk mungonin përfaqësuesit serbë. Dy presidentët më tej kanë biseduar rreth nivelit të lartë të dialogut politik midis dy vendeve. Presidenti Topi, nga ana e tij, ka shprehur gatishmërinë për thellimin e tij, si në funksion të marrëdhënieve dypalëshe, shumëpalëshe e rajonale, nëpërmjet vazhdimësisë së praktikës së takimeve dhe vizitave të niveleve të larta. Kreu i shtetit shqiptar përshëndeti me këtë rast organizimin e mirë të zgjedhjeve, si hap i rëndësishëm për stabilitetin e Maqedonisë, një garanci më shumë për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe për perspektivën e saj europiane e euroatlantike. Gjithashtu, kryetari i shtetit shqiptar shprehu vlerësime për bashkëpunimin shumë të mirë me palën maqedonase nё kuadёr tё angazhimit të pёrbashkёt pёr anёtarёsimin nё Bashkimin Europian. Nga ana e tij, presidenti i ri maqedonas, Gjorgje Ivanov, shprehu urimet për presidentin Topi me rastin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO, duke nënvizuar gëzimin që “një vend fqinj si Shqipëria u bë anëtar i Aleancës së Atlantikut dhe do të jetë edhe avokati ynë dashamirës për në NATO”. Në vijim të bisedës, presidenti i ri i Maqedonisë vuri në dukje se shteti maqedonas do të ofrojë përvojën e tij si vend kandidat për në BE, për lëvizjen e lirë të njerëzve, që do të mundësojë rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe të shkëmbimeve tregtare. Duke u ndalur në zhvillimet e brendshme në Maqedoni, presidenti Ivanov u shpreh se realiteti në Maqedoni tashmë ka ndryshuar dhe shqiptarët janë bërë pjesë e vendimmarrjes politike.

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›