E Diel, 1 Nëntor 2026

Frika nga epidemia, bllokohen botet me ujë në dy qytete

Frika ndaj virusit të panjohur që ka infektuar 40 banorë të Urës Vajgurore, “vë në lëvizje” edhe qytetin e Beratit. 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Gjatë ditës së djeshme është bërë klorinimi i të gjitha pikave të grumbullimit të ujit në këto qytete. Në disa lagje të Beratit në të cilat dyshohej për ndotje të mundshme të ujit, ai është ndërprerë deri në klorinimin e plotë të tij. Ndërsa në Urën Vajgurore, vëmendje e veçantë i është kushtuar lagjes “Guri i Bardhë”, pasi ndotja aty ka qenë më e madhe. Mësohet se pas alarmit të dhënë nga bluzat e bardha, si edhe pas dyshimeve se virusi mund të ishte kolerë, një grup ekspertësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Higjienës Tiranë, ka mbërritur dje në qytetin e përfolur për ndotje mjedisore. Ky grup, i shoqëruar edhe nga drejtuesit e higjienës së Beratit kanë inspektuar të gjitha pikat e ujit, si dhe klorinimin e vendeve më pikante ku ndotja ka qenë në parametra të mëdha. Burime nga Drejtoria e Shëndetit të Higjienës bënë të ditur se, grupi i ekspertëve pasi ka kaluar në “sitë” të gjitha pikat e grumbullimit të ujit ka konstatuar se, në disa prej tyre nuk ishte bërë klorinimi. Drejtori i Higjienës, Maksim Prendi, tha për gazetën se, po merren të gjitha masat për zbardhjen e prejardhjes së këtij virusi. Ndërkohë që është bërë bllokimi i boteve që shpërndajnë ujin në këtë qytet, si edhe tregtimi i qumështit. Prendi ka pohuar se, janë marrë kampione në të gjitha pikat e shpërndarjes së ujit të pijshëm për të kryer analizat në laboratorin qendror në Tiranë. Burime pranë kësaj drejtorie sqaruan se, personat e prekur nga virusi janë pjesëtarë të atyre familjeve me gjendje të ulët ekonomike, që nuk kanë pasur mundësi të blejnë ujin e pijshëm. Sipas burimeve, rreth 70 për qind e familjeve në këtë qytet me 12 mijë banorë e blejnë ujin e pijshëm, duke qenë në dijeni të ndotjes së ujit të ujësjellësit. Specialistët kanë pohuar se, duhet të kalojnë 48 orë në laborator analizat për të përcaktuar prejardhjen e këtij infeksioni të rëndë që ka përfshirë këtë qytet. Gjithashtu, paniku që ka përfshirë Urën Vajgurore i ka bërë qytetarët dyshues se infeksioni mund të ketë ardhur edhe nga ushqimet e pakontrolluara. Sipas specialistëve të ujësjellësit, vendburimi i ujit në Urën Vajgurore ndodhet nën nivelin e shtratit të lumit Osum, i cili ka ndotje të theksuar të ujërave të zeza dhe mbetjeve kimike të fabrikave. Në stinën e dimrit ky vendburim përmbytet dhe si pasojë ujërat e ndotura depërtojnë në brendësi të tij.

Përmirësohet gjendja e pacientëve
Ndërsa nuk është bërë i ditur emri dhe prejardhja e virusit që ka infektuar 40 persona, 30 prej të cilëve fëmijë, gjendja e të cilëve paraqitet e mirë. Burime nga spitali i Beratit kanë pohuar se, gjendja në këtë spital është nën kontroll dhe të sëmurët ndodhen nën mbikëqyrjen e mjekëve specialistë, të cilët po marrin mjekimet e nevojshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›