E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballja me feudin e veriut

Baton Haxhiu 

Kur Ahtisari vendosi premisat e planit të tij në një Kosovë të pavarur, nuk kishte lënë pa përmend faktin se gjërat e shkruara në letër janë pjesa më e lehtë e marrëveshjes. Sepse dihej se një fund do të jetë i imponuar. Ndonëse jo optimist për pjesën tjetër pas pavarësisë së Kosovës, nuk kishte lënë pa shtruar pyetjen kryesore kur konkludonte: “Cila është, atëherë, detyra e të gjithëve për një të ardhme të lirë të qytetarëve në një Kosovë të pavarur”. Përgjigjja e tij në pyetjen e shtruar ishte e qartë: Problemi kryesor është implementimi i asaj që është shkruar në dokumentin Ahtisari.
Duke dëgjuar një deklaratë të një lideri serb, Jakshiq, ku qartas deklarohet për sistemin paralel në Kosovë, duke lëvizur nga një pozicion i heshtur në deklaratë publike se “do të formojmë parlamentin tonë”, shihet qartë se gjëja kryesore që mbetet për sistemin politik dhe juridik në Kosovë është implementimi i asaj që është shkruar në letër nga Ahtisari.
Me gjithë mungesën e seriozitetit tek një pjesë nacionaliste serbe, shihet qartë se “Ahtisari” mund të përballet me problemin kryesor të tij: Entuziazmin serb për të rrënuar një projekt paqeje, ku premisë kryesore është përfitimi nga gjendja e kaosit që mund të krijohej.
Ndonëse nisma për implementimin duhet të bëhet nga bashkësia ndërkombëtare, përmbajtja e ngatërresës që do të ndodhë përgjithësisht është e ndërtuar mbi kujtesën e asaj që shqiptarët ndërtuan gjatë viteve të nëntëdhjeta.
Sistemi paralel si fundament i refuzimit të pushtetit okupues gjatë viteve të nëntëdhjeta, ka qenë i ndërtuar përgjatë gjithë njëzet viteve të fundit. Arsyet tashmë janë të njohura për opinionin.
Por ndërtimi i ngjashmërisë dhe përdorja e kodeve të njëjta, nga ana e serbëve, si model refuzues i një shteti dhe një formacioni evropian, që është garantues i paqes dhe implementimit të sigurisë për serbët, nuk mund të ketë mbështetje dhe as sukses.
Ajo së cilës ne duhet t’i kundërvihemi është fakti i trishtueshëm se zhvillimet e tashme po ndërtohen mbi një kujtesë nga e kaluara që po ruan karakteristikat e dhunës, idesë së luftës, prishjes së sistemit dhe nacionalizmit që po funksionon dhe është i suksesshëm.
Ky model joevropian po nxjerr gjithçka të fëlliqur, shëmtuese  dhe se egërsia shtazarake e nacionalizmit vazhdon të shfaqet si virtyt.
Ndoshta kjo ka një datë kur do të ndalet. Ndoshta ka një njeri në Serbi që s’jep asnjë përkrahje dhe e ndal brutalitetin e gjuhës së luftës.
Besoj se gjithkush duhet të ndjejë neveri nga kjo që po pritet të ndodhë, ose thënë më lehtë është paralajmëruar të jetë e vështirë për institucionet e Kosovës.
Sfiduese është kjo që po ndodh, sepse modeli i politikanit Koshtunica nuk ka kuptuar se fjalori i tij është plot shkëndija frymëzuese për një ide destabilizimi, që përmbajtjen e ka në modelin e politikanit Jakshiq.
Kush mund t’i vë fre këtij brutaliteti?
Besoj se të gjithë e dinë se institucionet e Kosovës duhet të tregohen vullnetmirë për të drejtuar shigjetat kah implementimi i planit Ahtisari. Por janë të pafuqishme që të ndërhynë në një mjedis me serbët, ku gjithçka është si shkëndijë. Ku gjithçka është plasëse dhe në pikën ku mund të luhatet paqja.
Bindja është se kur gjithçka është e fëlliqur dhe i vjen era, nuk duhet lënë që të ngatërrohet me institucionet kosovare. Në këtë rast me shqiptarët.
Ndërkombëtarizimi total i veriut mban peshën e paqes, por asesi nuk duhet lënë anash prekjen ekonomike që duhet bërë me këtë pjesë të Kosovës, që realisht nuk i ngjan as Kosovës dhe as Serbisë, por është një feud i sunduar nga kriminelët dhe grabitësit.
Nuk ka më lehtë që të fusësh ata nga jeta e grabitqarit në jetën e vrasësve. Ata vetëm duan një strehim ku ligji nuk funksionon.
Ditën kur ligji shtrihet në veri, asnjë gjë nuk mund të ndodhë andej. Deri atëherë gjithçka do të jetë e mundshme.
Të gjithë kanë besimin se gjërat e rënda kanë kaluar dhe ato nuk mund të kthehen. Por një gjë është e sigurt, ato gjëra kthehen sa më shumë që ata jetojnë në një feud të sunduar nga kriminelët.

*Ky shkrim është dërguar në adresën e drejtorit të gazetës, dy ditë më parë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›